Deklaratat e fundit të kryetarit të Prishtinës Përparim Rama i cili tha se nuk ëshyë pjesë e LDK-së, kanë ngjallur reagime të shumta brenda partisë që udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku.
Zyrtarë të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë dalë me qëndrime të ndryshme ndaj deklaratës së Ramës i cili nuk po dëshiron të identifikohet me LDK.
Nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri ka thënë se deklarata e Përparim Ramës se nuk është në LDK nuk paraqet ndonjë problem.
“Jo, jo nuk është aspak problem kjo, është si ai e ndjenë atë, nuk ka marrë librezë të parties por është 100% me ne”, deklaroi sot Muhaxheri.
Por për Valon Murtezin, anëtar i kryesisë qendrore të LDK-së, deklarata e Përparim Ramës është një nonsens.
“Kryetari i Prishtinës nuk qenka anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Por, partner i ngushtë. Ndërsa i ka prirë listës së LDK-së për Prishtinën. Çfarë nonsensi!”, ka shkruar Murtezaj në faqen e tij në Facebook.
I ashpër në reagimin e tij për dekkaratat e fundit të Përparim Ramës ka qenë edhe deputeti i LDK-së, Agim Veliu.
“Me të thënë të drejtën për mua nuk ka asgjë për tu habitur sepse edhe ata që e kanë sjellë Përparimin nuk kanë qenë anëtarë të të LDK-së edhe kanë qenë partner të partive të tjera bile. Fatkeqësia këtu për mua është që LDK-ja si partia më e vjetër në vend ka ardh në situatë që të drejtohet nga partner të çastit, gërvisht dhe fito, gjithmonë nëse ju dhezë, ndoshta ikin dhe e lënë ashtu”, ka deklaruar sot Veliu.
Ndërsa ish-deputetja dhe zyrtarja e lartë e LDK-së, Melihate Tërmkolli ka ironizuar me dekkaratat e Ramës duke shkruar në faqen e saj në Facebook se ai me këto deklarata mund të bëhet edhe kryetar i LDK-së.
“Paska me u bo Përparimi Kryetar i LDK-së! (mbase më mirë!). Isën e kanë bo kryetar kur ka deklaruar edhe se nuk është në LDK. A jo, gati harrova! Me u bo kryetar dhe me pasë poste të larta në LDK duhet edhe një kusht, më kryesori: me qenë kundër LDK-së dhe kundër Ibrahim Rugovës! Këtë kusht, Përparimi nuk e ka kohën me përmbushë!”, ka shkruar Tërmkolli.