Fermerit Zenë Haradinaj i duhen rreth 3,900 euro për blerjen e plehut artificial, për të plehëruar 13 hektarë tokë të kultivuar me grurë – pa përfshirë shpenzimet për derivate të naftës dhe punëtorë.
Dy punëtorë që i nevojiten, paguhen nga 25 euro në ditë, ndërsa shpenzimet për naftën thotë se i llogarit pas përfundimit të procesit të plehërimit.
Për një hektar tokë të kultivuar nevojiten deri në 300 kilogramë pleh. Haradinajt, me 13 hektarë, i nevojiten 3,900 kilogramë pleh. Çmimi për një kilogram është një euro.
Sipërfaqen e kultivuar me grurë, Haradinaj e ka në fshatin Stanovc, komuna e Vushtrrisë, e cila ndodhet në verilindje të Kosovës.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Haradinaj thotë se pret subvencione nga institucionet shtetërore, që do të ulnin vlerën e shpenzimeve të tij.
Ai thotë se shuma që i duhet për blerje të plehut, punëtorë dhe naftë, është e papërballueshme për të.
Qeveria e Kosovës, më 9 mars, ka ndarë 50 milionë euro për subvencionimin e sektorit të bujqësisë. Vetëm për subvencionimin e grurit janë ndarë 474 euro për hektarë – përfshirë këtu shpenzimet e plehut dhe të naftës.
Deri më tash, subvencionet kanë qenë 75 euro për hektarë.
Vendimi i ri është marrë në kohën kur shumë vende kanë ndaluar eksportet e drithit, për shkak të krizës në tregje dhe rritjes së çmimeve që ka shkaktuar lufta në Ukrainë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se subvencionet janë ndarë me qëllim të rritjes së rendimenteve, që do t’i plotësonin nevojat për konsum dhe do t’i zvogëlonin nevojat për importtë lartë.
Gruri është lënda e parë për prodhimin e miellit dhe si i tillë konsiderohet produkt strategjik për sigurinë kombëtare.
Për sigurimin e tij, Kosova është e varur nga importi.
Në vitin 2021, nga fermerët e Kosovës janë prodhuar 280 mijë tonë grurë. Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës për atë vit, 115 mijë tonë lloje të grurit dhe miellit janë importuar nga shtete të ndryshme të Evropës.
Sivjet më pak grurë
Nevojat e popullatës së Kosovës janë për rreth 400 mijë tonë grurë në vit.
Haradinaj thotë se çmimet e produktevetë nevojshme për kultivim të grurit janë rritur – disa prej tyre edhe janë trefishuar.
“Vetëm të filloj nga plehu: vitin e kaluar, 25 kilogramë pleh kanë kushtuar tetë euro, gjatë këtij viti kushtojnë 25 euro; nafta ka qenë pak mbi 1.10 euro, tashmë mbi 1.60 euro. Nuk e di sa mjaftojnë paratë e ndara [nga Qeveria], ta shohim sa shpenzojmë naftë dhe pleh”, thotë Haradinaj.
Milot Gashi, nga kompania “Agrimatco Kosovo L.L.C” në Prishtinë, e cila merret me shitjen e lëndëve të para për bujqësi, konfirmon për Radion Evropa e Lirë rritjen e çmimit të plehut artificial.
Ai thotë se 100 kilogramë pleh artificial tani kushtojnë 100 euro, krahasuar me vitin e kaluar kur kanë kushtuar 32 euro.
Plehërimi i grurit bëhet në fillim të muajit mars, ndërsa riplehërimi në muajin prill.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2020, sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore ka qenë mbi 421 mijë hektarë. Prej tyre, mbi 80 mijë hektarë kanë qenë të kultivuar me grurë.
Tahiri: Subvencionimi do ta rrisë sipërfaqen e tokës së punueshme
Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, konsideron se shuma e subvencioneve për bujqësinë është e mjaftueshme.
Sipas tij, ajo do të rrisë interesimin e bujqve për të punuar tokat, pasi, siç thotë, gati 50 për qind e tokave bujqësore kanë mbetur djerrinë, për shkak të përfitimeve të ulëta që kanë pasur fermerët.
“Kjo është një ndihmë shumë e madhe, prandaj mbetet që bujqit të angazhohen dhe të punojnë tokën. Mendoj se ata fermerë, që kanë kushte për punë, do të dalin me përfitime”, thotë Tahiri për Radion Evropa e Lirë.
Përveç për grurin, Qeveria e Kosovës ka ndarë mjete edhe për subvencionimin e misrit, fasules dhe patates – me 100 euro për hektarë.
Kriteret ende të paqarta
Kryeministri Kurti ka thënë se aplikimet për subvencionim do të nisin gjatë këtij muaji. Kriteret për aplikim nuk janë ende të qarta.
Zenë Haradinaj thotë se beson që ato do të jenë të njëjta sikur vitet e kaluara.
“Shumë, shumë letra nevojiten. Unë pjesën më të madhe të tokës nuk e kam në emrin tim. Një pjesë e kam me qira. Vetëm për pesë hektarë kam për të aplikuar, por nuk i di kriteret”, thotë ai.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it për kriteret që duhen plotësuar, për të përfituar subvencionet.
Subvencionet nuk parandalojnë ikjen e bujqve
Vitin e kaluar, personat që kanë aplikuar, është dashur të dorëzojnë kopjen e certifikatës së regjistrimit të biznesit, dëshmi për obligimet e kryera ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, dëshmi nga kadastra për sipërfaqen e tokës së punueshme, kontratën për sipërfaqen e tokës bujqësore të marrë me qira dhe dokumente të tjera.
Për të përfituar 75 euro, fermeri është dashur të ketë më së paku dy hektarë tokë të mbjellë me kulturë të grurit.
Më herët, fondet e ndara për subvencionim në disa raste edhe janë keqmenaxhuar.
Zyra Kombëtare e Auditorit, në auditimin e bërë për vitin 2019, ka nxjerrë në pah mosplotësimin e disa kritereve të kërkuara nga përfituesit e subvencioneve.
Për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrjes së ryshfetit, vitin e kaluar, janë arrestuar 32 persona, përfshirë zyrtarë me pozita të ndryshme në Agjencinë Zhvillimore të Bujqësisë dhe Agjencinë e Pyjeve të Kosovës. Të dyja këto agjenci funksionojnë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.