Shoqata për Energji të Ripërtëritshme, ka reaguar pas situatës së krijuar së fundmi, pasi Gjykata e Apelit e vërtetoi aktvendimin e Themelores për pezullimin e tarifave shtrenjta, të vendosura nga Zyra e Rregullatorit.
Në një komunikatë për media ShERK ka thënë se e ka pranuar me shqetësim situatën e krijuar së fundmi, nga pezullimi i vendimit të ZRRE-s, që ka të bëjë me tarifat e sistemit elektroenergjetik në Kosovë.
“Kjo do të ketë implikime të mëdha në zinxhirin e funksionimit të tregut të energjisë elektrike në Kosovë, dhe do të rrezikohet edhe siguria ekonomike, industriale dhe publike në mungesë të udhëzimeve të qarta të zbatimit të vendimit mbi pezullimin, deri në marrjen e vendimeve meritore”, thuhet në komunikatën për media.
ShERK ka ftuar institucionet që të ndërmarrin veprime për të ndryshuar qoftë edhe legjislacionin, pasi në të kundërtën vlerëson se do të rrezikohet zhvillimi ekonomik.
“Ftojmë organet publike dhe ato gjyqësore aty ku ka mundësi dhe hapësira ligjore që të ndërmarrin veprime, për të ndryshuar qoftë edhe legjislacionin, sepse efektet e pezullimit në këtë formë kanë rrezikuar ndërmarrjet e energjisë dhe zhvillimin ekonomik dhe do të rrezikojnë edhe zhvillimin ekonomik, dhe mungesën e investimeve në sektorin e Energjisë së Burimeve të Ripërtëritshme”, thuhet tutje.