Shoqata e Transportit “Podujevë-Prishtinë” ka njoftuar sot pezullimin e përkohshëm të aktivitetit të saj për shkak të, siç thotë, “shkeljeve flagrante të të drejtave elementare dhe rrezikut të falimentimit”.
Vendimi vjen pas shqyrtimit të gjendjes aktuale dhe miratimit nga organet drejtuese të shoqatës.
Në një deklaratë zyrtare, shoqata ka theksuar se situata është pasojë e veprimeve të Komunës së Prishtinës, e cila ka lëshuar linja të reja transporti duke anashkaluar procedurat ligjore dhe të drejtat që i takojnë operatorëve ekzistues. Këto veprime, sipas shoqatës, kanë shkaktuar dëme të mëdha ekonomike, duke rrezikuar ekzistencën e saj dhe vendet e punës për shumë persona që varen nga ky sektor.
“Për këtë arsye, kërkojmë me urgjencë ndërhyrjen e institucioneve kompetente për të adresuar këtë shkelje ligjore dhe për të marrë masa të menjëhershme që të mundësojnë vazhdimin e shërbimeve të transportit në kushte të drejta dhe të ligjshme për të gjithë operatorët,” thuhet në deklaratë.