Vajzat dhe gratë janë viktimat më të shpeshta të ngacmimeve, sulmeve seksuale e dhunimeve në Kosovë. Raste të tilla rrallëherë janë denoncuar edhe nga burrat, të cilët kanë rënë pre e personave të gjinisë së njëjtë, me të cilët janë përballur.
Kështu ka ndodhur edhe së fundmi, te Stacioni i Autobusëve në Prishtinë, ku një person, rreth 40-vjeçar, po dyshohet se ka sulmuar seksualisht një 16-vjeçar, të cilin e mori me veturë duke i ofruar “ndihmë”.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti është denoncuar nga viktima, i cili ka njoftuar Policinë se rasti ka ndodhur në orët e mbrëmjes të së hënës, teksa po lëvizte në këmbë, kur papritmas u shfaq burri i dyshuar.
Sinjali mëson se i dyshuari ka qenë me veturën e tij, kur fillimisht ka kërkuar nga viktima diçka, duke i thënë “qenke djalë i mirë” e më pas i ka ofruar ndihmë, gjoja se do ta dërgonte deri te shtëpia e tij, me qëllimin që ta fuste në automjet.
Sipas informacioneve të para, i mituri, i cili vendosi të hipte me të dyshuarin në veturë, u përballë me një situatë të pazakontë, kur i njëjti filloi ta prekte dhe ta pyeste për organin gjenital.
Për të mos mbaruar me kaq, ai edhe ka tentuar që ta zhvesh, por 16-vjeçari në atë moment është larguar nga vetura.
Si rezultat i denoncimit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit, i cili ngarkohet me veprën penale “Sulm seksual”.