Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kanosje serioze, që eskalojnë në sulme fizike, duke ua vështirësuar punën e kërcënuar jetën. Kështu dyshohet se ndodhi edhe mbrëmë pas mesnate në Gjilan, ku Policia arrestoi një person, raporton Gazeta Sinjali.
Rasti ndodhi në rrugën “Avdullah Tahiri”, ku Policia po patrullonte dhe urdhëroi të ndalej një veturë – por që shoferi i dyshuar i shpërfilli.
Sinjali ka mësuar se i dyshuari që po voziste këtë veturë ka qenë në gjendje të dehur dhe fillimisht ka ofenduar dhe kërcënuar zyrtarët policorë.
Bazuar në informacionet e para, i dyshuari më pas e ka sulmuar njërin nga policët, duke e goditur me grusht.
Njësia policore e ka vënë situatën menjëherë nën kontroll dhe i dyshuari është arrestuar e shoqëruar në stacion policor.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit në drejtim të veprës penale “Sulm ndaj personit zyrtar.”