Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Padova të Italisë, ku 23-vjeçarja shqiptare Ariana Herri ka ndërruar jetë në spital, duke tronditur familjen dhe miqtë e saj.
Ariana, e cila kishte shfaqur simptoma të lehta si kolla dhe ftohja pas pjesëmarrjes në një festë tradicionale në Maserada, u përball me një përkeqësim të shpejtë të shëndetit.
Ditët në vijim ajo nisi të përjetonte të vjella të vazhdueshme dhe vështirësi në të ngrënë, gjë që detyroi familjen ta dërgonte në spital.
Fillimisht, e reja u trajtua në spitalin Ca’ Foncello në Treviso, por më pas u transferua në Padova, ku iu nënshtrua kujdesit intensiv.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, Ariana nuk mundi të mbijetonte, duke humbur jetën për shkak të miokarditit fulminant.
Mediat italiane raportojnë se një autopsi e kryer sot pritet të hedhë më shumë dritë mbi shkaqet e kësaj tragjedie.
Ariana përshkruhet nga të afërmit dhe miqtë si një vajzë gazmore, e dashuruar pas muzikës dhe kërcimit. Ajo punonte si banakiere në Maserada dhe ëndërronte të bëhej estetiste.
Sipas burimeve të replika.al, muajt e fundit Ariana kishte vuajtur nga sulme paniku dhe takikardi, që besohet të jenë pasojë e një periudhe të vështirë pas përfundimit të një lidhjeje, ka transmetuar Klan Kosova.
Ceremonia mortore do të mbahet të hënën, më 27 janar, në orën 15:00, në varrezat komunale të Maseradës, ku familja dhe të afërmit do t’i japin lamtumirën e fundit.