Meteorologu Akil Osmani ka bërë parashikimin e motit për ditët e ardhshme. Reshjet e shiut që përjetuam gjatë fundjavës duket se do t’ia lënë vendin motit të ngrohtë të gushtit.
Sipas meteorologut duke filluar nga dita e martë do të kemi një ngritje graduale të temperaturave, duke bërë që në zonat e ulëta maksimumet të shkojnë deri në 38 gradë celcius.
Ai tha se pushuesit në bregdet nuk duhet të shqetësohen, pasi temperaturat do të shkojnë deri në 34 gradë celcius dhe moti do të jetë i qëndrueshëm.
“Pushuesit duhet të jenë të qetë pasi ata që kanë zgjedhur bregdetin, pavarësisht se dita e sotme ka sjellë temperature disi të freskëta me maksimume rreth vlerave 27 dhe 28 gradë celcius. Themi të freskëta duke i krahasuar me temperaturat që përjetuam disa ditë më parë, pasi këto janë temperatura normale për muajin e gushtit. Duke filluar nga dita e martë të kemi ngritje graduale të temperaturave të ajrit duke bërë që maksimumet në rang territori të ngrihen deri në 37 gradë celcius madje në disa zona të izoluara dhe me 38 gradë celcius, këto në qytetet e zonës së ulët.
Përgjatë vijës bregdetare temperaturat do të shënojnë dhe 34 gradë celcius. Ata që duan të shijojnë temperatura më të freskëta, duhet të frekuentojnë zonat malore ku temperaturat do të shkojnë në 31 gradë celciu”, tha Osmani në Euronews Albania.