Departamenti i Inteligjencës së Mbrojtjes ukrainase ka alarmuar se forcat ruse kanë nisur luftë sistematike në dëmtimin e makinerisë agrikulturale në Ukrainë. Me këto veprime, thonë autoritetet ukrainase, Rusia planifikon ta lë pa bukë Ukrainën, dhe jo vetëm atë.
Institucionet e sigurisë së Ukrainës kanë dalë me një njoftim, ku flasin për planin rus, që të dëmtohet agrikultura e shtetit të tyre.
“Okupuesit qëllimshëm po i dëmtojnë makinerinë agrikulturore të Ukrainës. Raste të veprimeve të tilla sistematike janë regjistruar në Brovarsky, në rajonin e Kyivit”, thonë nga Inteligjenca e Mbrojtjes ukrainase.
Sipas njoftimit, veprimet e tanishme të forcave ruse mbi agrikulturën ukrainase, kanë për qëllim dëmtimin dhe rrezikimin e të mbjellurave të periudhës së pranverës.
Kjo, thonë autoritetet ukrainase, po bëhet me qëllim që të shkaktohet krizë humanitare, në rajone të ndryshme të Ukrainës.
Mirëpo, këto përpjekje të Rusisë, sipas Inteligjencës ukrainase, nuk kanë për qëllim dëmtimin vetëm të shtetit të tyre.
“Shteti ynë është një nga furnizuesit kryesorë nga shumë fusha të agrikulturës në tregun e Evropës dhe të Kinës”, thuhet në njoftimin, të cilin e ka shpërndarë Mbrojtja e Ukrainës.
“Okupuesit po vazhdojnë praktikën për të sulmuar civilët. Kjo është shkelje flagrante e parimeve themelore të ligjeve ndërkombëtare”.