Një ngjarje e rëndë dhe e rrezikshme për jetën e qytetarëve ka ndodhur sot në zemër të Prishtinës. Një pjesë e fasadës së objektit të Pallatit të Rinisë është shembur në tarasën e ëmbëltores “Elita”, duke vënë seriozisht në pikëpyetje sigurinë e ndërtesave publike dhe përgjegjësinë institucionale për mirëmbajtjen e tyre.
Gazeta Sinjali mëson se rreth orës 14:20, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes pas marrjes së informatës për shembje të fasadës.
Personeli i sigurimit të Pallatit të Rinisë në kushte anonimiteti ka deklaruar për Gazetën Sinjali se si pasojë një grua ka mbetur e lënduar.
Bëhet fjalë për K. M. 41-vjeçare, e cila ka pranuar ndihmë mjekësore për lëndimet e pësuara.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokuroria, e cila ka autorizuar hetimin penal për “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, bazuar në nenin 356 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Me urdhër të saj, është njoftuar Inspektorati për të përcaktuar përgjegjësitë, ndërkohë që është kërkuar të intervistohet edhe përgjegjësi për mirëmbajtjen teknike të Pallatit të Rinisë, për të sqaruar se kush mban përgjegjësi për këtë neglizhencë që për pak sa nuk përfundoi në tragjedi.
Hetimet janë duke vazhduar, ndërsa qytetarët kërkojnë përgjegjësi konkrete nga institucionet për sigurinë në hapësirat publike.