Udhëheqësi i Bankës Botërore, David Malpass, ka paralajmëruar se lufta e Rusisë në Ukrainë mund të shkaktojë recesion global, pas rritjes së çmimeve të ushqimit dhe energjisë.
Ai ka thënë në një takim me bizneset në Shtetet e Bashkuara se është e vështirë “të gjenden rrugë për ta shmangur recesionin”.
Sipas tij edhe disa seri të masave izoluese në Kinë janë duke shtuar shqetësimet për situatën ekonomike.
Komentet e tij përbëjnë paralajmërimin e fundit se ekonomia botërore mund të tkurret.
“Teksa shikojmë bruto-prodhimin e brendshëm (GDP)… është e vështirë të shohim shmangie të recesionit”, ka thënë Malpass, pa dhënë detaje tjera.
“Vetëm ideja e dyfishimit të çmimeve të energjisë, mjafton për të nxitur recesionin”, ka shtuar ai.
Muajin e kaluar, Banka Botërore ka zvogëluar parashikimet për rritje ekonomike këtë vit, në 3.2 për qind.
Bruto-prodhimi i brendshëm (GDP) është masë për të matur rritjen ekonomike dhe ndër mënyrat më të rëndësishme për të matur sa mirë apo keq është duke performuar një ekonomi, dhe vëzhgohet nga afër prej ekonomistëve dhe bankave.
GDP po ashtu u ndihmon bizneseve të vlerësojnë se kur duhet të zgjerohen, të rekrutojnë më shumë punëtorë, apo të investojnë më pak dhe të zvogëlojnë fuqinë punëtore.
Qeveritë po ashtu e përdorin GDP-në për të marrë vendime për gjithçka, duke nisur nga taksat e deri te shpenzimet, derisa bankave u ndihmon të marrin vendime se kur të rritin apo të ulin normat e interesit.
Malpass ka thënë se shumë vende evropiane janë ende shumë të varura nga nafta dhe gazi rus.
Ai ka bërë këto deklarata, pavarësisht se disa shtete të Perëndimit kanë bërë plane për të zvogëluar varësinë nga energjia ruse.
Sipas kreut të Bankës Botërore, nëse Rusia ndal furnizimet me gaz, kjo gjë mund të shkaktojë “ngadalësim të konsiderueshëm” të ekonomisë në rajon.
Ai ka thënë se çmimet e larta të energjisë veçse janë duke rënduar mbi Gjermaninë, e cila përbën ekonominë më të madhe në Evropë dhe të katërtën në botë.
Malpass ka thënë se shtetet në zhvillim po përballen edhe me mungesë të ushqimit dhe energjisë.
Udhëheqësi i Bankës Botërore ka thënë përgjatë takimit me biznese se është i shqetësuar për masat e izolimit në disa prej qyteteve më të mëdha në Kinë, duke përfshirë Shangain.
“Kina veçse ka qenë duke u përballur me disa tkurrje në sektorin e patundshmërisë, andaj parashikimet për rritje ekonomike atje, edhe para pushtimit rus në Ukrainë, kanë qenë të zbehura”, ka thënë ai.
“Më pas valët e COVID-19 në Kinë kanë nxitur izolime që kanë ulur edhe më shumë parashikimet për rritje”, ka shtuar ai.
Edhe kryeministri kinez, Li Keqiang, ka thënë se ekonomia e dytë më e madhe në botë është goditur rëndë nga masat e fundit izoluese, në krahasim me fillim të pandemisë më 2020.
Ai ka bërë thirrje për më shumë punë nga ana e zyrtarëve për hapje të fabrikave pas izolimeve.
“Përparimi nuk është i kënaqshëm”, ka thënë Li.
“Disa provinca janë duke raportuar se vetëm 30 për qind e bizneseve janë rihapur… shkalla duhet të arrijë në 80 për qind në periudhë të shkurtër kohore”.
Izolime të plota apo të pjesshme janë zbatuar në dhjetëra qytete kineze në muajt mars dhe prill, duke përfshirë edhe mbylljen e Shangait.
Në javët e fundit, zyrtarë të shumtë kinezë kanë thënë se sektorë të ndryshëm të ekonomisë janë prekur nga këto masa, duke nisur nga prodhimi e deri te shitja.