Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se ka vendosur një raund të ri sanksionesh ndaj Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës , që synim ka zyrtarët e qeverisë ruse dhe elitat të Vladimir Putinit, si dhe disa jahte të lidhur me presidentin.
Një nga personat e sanksionuar është Sergei Roldugin, një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, i cili tashmë është nën sanksionet e BE-së.
Departamenti i Thesarit synoi gjithashtu 16 subjekte, shtatë anije dhe tre avionë. Midis tyre ishin dy jahte, “Graceful me flamurin e Rusisë dhe Olympia me flamurin e Ishujve Kajman”, të cilat thesari i identifikoi si “pronë e bllokuar në të cilën presidenti Vladimir Putin ka interes”.
Në fjalimin e tij për gjendjen e bashkimit në mars, Joe Biden tha se SHBA do të punonte për të kapur jahtet, apartamentet luksoze dhe avionët privatë të rusëve të pasur me lidhje me Putinin.
Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë se sanksionet e fundit janë të dizajnuara “për të goditur evazionin dhe për të shtrënguar sanksionet tona për të rritur zbatimin dhe për të rritur presionin ndaj Putinit dhe mundësive të tij”.
/GazetaExpress/