Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të zhgënjyer që kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, nuk arritën marrëveshje për targat.
Në një përgjigje për Klankosova.tv nga zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet se SHBA-të i bëjnë thirrje shefit të qeverisë kosovare që të punojë me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së Borrell dhe Përfaqësuesin Special të BE-së Lajçak për të arritur një kompromis të drejtë.
Tutje në përgjigje thuhet se si Kurti ashtu edhe Vuçiq, duhet të bëjnë lëshime për të siguruar që ne të mos rrezikojmë paqen e fituar me dekada në një rajon tashmë të brishtë.
“Ne i bashkohemi BE-së për t’i bërë thirrje Kosovës që të pezullojë menjëherë çdo masë të planifikuar që do të përshkallëzonte tensionet, përfshirë vendosjen e gjobave të automjeteve”.
Të dyja palët duhet të përmbahen nga ndërmarrja e hapave provokues, të përmbushin detyrimet e tyre sipas Dialogut të lehtësuar nga BE dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme”.
“Shtetet e Bashkuara i kërkojnë Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të zbutur tensionet”, thuhet në përgjigjen e DASH-it për Klankosova.tv