Presioni ndërkombëtar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe po vazhdon të rritet. Ditën e djeshme ishte i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, duke aluduar në kryeministrin Kurti, tha se një njeri nuk mund ta shmangë një detyrim ligjor. Në ndërkohë, analistët thonë që Kurti duhet të marrë hapa konkret karshi këtyre kërkesave.
I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar gjatë vizitës së tij në Beograd të premten bashkë me katër emisarët e tjerë dha mesazhe të qarta për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Ai tha se bashkësia ndërkombëtare kërkon që Kosova të përmbushë detyrimin ligjor për themelimin e Asociacionit dhe se Kurti nuk ka nevojë të pajtohet me të.
Sipas njohësve të çështjeve politike gjithë kjo situatë është presion mbi Kosovën, andaj, ata thonë se Kurti duhet të ndërmarrë hapa.
“Kjo është kërkesë strikte e aleatëve tanë ndërkombëtarë prandaj sa më parë që Kurti të fillojë të punojë në draftimin e një Asociacioni, i cili është i padëmshëm për Kosovën. Kështu do ta kishte më të lehtë qeverisjen. Në të kundërtën, është e vështirë t’u bëjë ballë presioneve amerikane dhe evropiane”, ka thënë për Dukagjini njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri.
Por, për Arbnor Sadikun janë shpresëdhënëse deklaratat se në Kosovë nuk do të krijohet një Republika Srpska e re.
Sipas tij, themelimi i Asociacionit do t’i hapte rrugë Kosovës.
“Është një tip Asociacioni me të drejta afirmative që i jepet kompetenca në fushën e arsimit dhe disa sferave të tjera dhe kjo i mundëson Kosovës anëtarësimin ose hapjen e rrugës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare siç është NATO, Unioni Evropian, Këshilli i Evropës e UNESCO”, ka thënë Sadiku.
Escobar në një intervistë për Zërin e Amerikës në Serbi të premten, ndër të tjera tha se Asociacioni dhe propozimi franko-gjerman nuk lidhen me njëra-tjetrën.