Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar kërkesën e presidentit rus, Vladimir Putin që Perëndimi të heqë sanksionet ekonomike ndaj Rusisë.
Sipas Kremlinit, Putin i ka thënë kryeministrit italian, Mario Draghi se Rusia do të nisë anijet me ushqime dhe pleh, për të zbutur krizën për ushqim në gjithë botën, mirëpo vetëm nëse “marrin fund masat e motivuara politikisht, të zbatuara nga Perëndimi”.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se eksportet e drithit nga Ukraina do të mund të nisin nëse hiqen sanksionet ndaj Rusisë.
Megjithatë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, ka thënë se bllokada detare e Rusisë ka bllokuar disa tonë të produkteve, dhe jo sanksionet.
Sipas saj, nuk ka diskutime për heqje të sanksioneve.
“Nuk ka bisedime. Kjo është e bëmë e Rusisë”, ka thënë ajo.
Rusia duhet të ndalë “menjëherë luftën e saj në Ukrainë”, e cila është duke ndikuar në sigurinë globale të ushqimit, ka thënë Jean-Pierre.
“Rusia është duke bllokuar vazhdimisht eksportet e ushqimit nga portet ukrainase dhe është duke rritur urinë në botë”.
Rusia dhe Ukraina janë eksportuese të rëndësishme të drithërave, andaj luajnë rol të rëndësishëm në zinxhirin e furnizimeve.
Në javët e fundit, komuniteti ndërkombëtar i ka bërë thirrje Rusisë që të mundësojë eksportin e grurit ukrainas.
Mirëpo sipas Kievit, marina ruse është duke bllokuar portet ukrainase në Detin e Zi, raporton REL.
Ukraina ka akuzuar Rusinë për shantazh dhe i ka bërë thirrje Perëndimit që të mos heqë sanksionet derisa Rusia t’i japë fund luftës.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar më 24 shkurt, atë që e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur me sanksione të ashpra ndaj Rusisë, duke shënjestruar ekonominë e shtetit dhe oligarkët rusë.