Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin anëtarësimin e Kosovës në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, megjithëse rikujtuan se për një vendim të tillë kërkohet pajtimi i të gjitha 30 vendeve anëtare të Aleancës.
Mbështetjen amerikane për Kosovën dhe aspiratat e saj në këtë drejtim e ka shprehur zëdhënësi i misionit të SHBA-së në NATO, Jeffrey Adler.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin anëtarësimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike, përfshirë edhe në Partneritetin për Paqe të NATO-s”, tha Adler përmes një përgjigjeje me shkrim dhënë Radios Evropa e Lirë.
Jeffrey Adler po ashtu rikujtoi se “të gjitha vendimet e Aleancës, përfshirë edhe për Partneritetin për Paqe, merren me konsensus”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se Kosova do të kërkojë që të bëhet pjesë e programit të Partneritetit për Paqe.
Nga 30 vende anëtare të NATO-s, Kosovën si shtet të pavarur e kanë njohur 27 prej tyre ndërsa katër (Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja) ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Se mosnjohja nga katër vendet anëtare mund të jetë pengesë politike për anëtarësimin e Kosovës në Partneritet për Paqe e ka thënë edhe një burim nga NATO javën e kaluar, duke rikujtuar gjithashtu parimin e miratimit të vendimeve me konsensusin e të gjitha vendeve anëtare.
Qeveria e Kosovës ka thënë se veçse ka formuar një grup punues për anëtarësimin në Partneritetin për Paqe.
Partneriteti për Paqe është një program i NATO-s, që synon krijimin e besimit midis shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të tjera në Evropë.