ShBA-ja ka konfirmuar se po përgatitet për një sistem të ri për ofrimin e ndihmës humanitare për palestinezët në Gaza përmes kompanive private, ndërsa bllokada e Izraelit vazhdon për të tretin muaj me radhë.
Ambasadori i ShBA-së në Izrael tha se “qendrat e shpërndarjes” të mbrojtura nga kontraktorë privatë të sigurisë do të siguronin ushqim dhe furnizime të tjera për deri në një milion njerëz fillimisht, si pjesë e një përpjekjeje për të parandaluar Hamasin të vjedhë ndihmat.
Mike Huckabee mohoi se Izraeli do të merrte pjesë në shpërndarjen ose dorëzimin e ndihmës, por tha se forcat e tij do të siguronin perimetrin e qendrave.
Konfirmimi vjen ndërsa dolën më shumë detaje rreth planit të diskutueshëm, me të cilin agjencitë e OKB-së kanë përsëritur se nuk do të bashkëpunojnë sepse duket se e “armatos” ndihmën.
“Ne nuk do të marrim pjesë”, tha zëdhënësi i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), Jens Laerke, për BBC-në në Gjenevë, “vetëm në përpjekjet që janë në përputhje me parimet tona”.
Ai shtoi: “Nuk ka arsye për të vendosur një sistem që është në kundërshtim me ADN-në e çdo organizate humanitare me parime.”
Që nga fillimi i marsit, Izraeli ka ndërprerë të gjitha furnizimet që të arrijnë në Gaza – duke përfshirë ushqimin, strehimet, ilaçet dhe karburantin – duke çuar në një krizë humanitare për 2.1 milion banorët e saj, shkruan BBC