Në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë theksohet se Qeveria e Kosovës duhet t’ua mundësojë kryetarëve të zgjedhur të komunave në veri që t’i kryejnë detyrat e tyre nga lokacione alternative, e edhe t’i tërheqë forcat policore nga ndërtesat komunale. Krahas kësaj, është mirëpritur gatishmëria e kryeministrit Kurti për të punuar drejt kushteve për zgjedhje të reja. BE-ja ndërkaq, përpos kërkesave, ka dënuar dhunën e protestuese dhe ka paralajmëruar pasoja për palët, në rast se situata nuk depërshkallëzohet
Finer i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që t’iu mundësojë kryetarëve të zgjedhur të komunave që t’i kryejnë detyrat e tyre nga lokacione alternative dhe t’i tërheqë forcat policore nga ndërtesat komunale në veri.
Kurse, nga Vuçiqi SHBA-ja pret që t’i tërheqë forcat e tij të stacionuara afër kufirit me Kosovën.
“Ai i kërkoi Qeverisë së Serbisë që t’i tërheqë forcat e saj të armatosura të stacionuara afër kufirit dhe ta ulë gjendjen e gatishmërisë, si dhe t’u bëjë thirrje protestuesve që të jenë paqësorë në veri të Kosovës”, theksohet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.
Finer ka përsëritur për të dytë se SHBA-ja pret nga palët që të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe ta zbatojnë plotësisht marrëveshjen e normalizimit të arritur në Bruksel dhe në Ohër.
Të shtunën, edhe BE-ja ka kërkuar që Kosova t’i pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të objekteve komunale në veri dhe që kryetarët e zgjedhur shqiptarë ta kryejnë funksionin e tyre nga objektet alternative.
“Zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të shpallen sa më shpejt që të jetë e mundur në të katër komunat dhe ato të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në to”, thuhet në një deklaratë të BE-së, të lëshuar nga përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Në deklaratë është dënuar dhuna e protestuesve që ka ndodhur në veri ditë më parë dhe është kërkuar nga Kosova të ndërmarrë hapa për t’i ulur tensionet.
Serbët lokalë janë duke protestuar në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin-Potik për ta kundërshtuar qasjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale. Më 29 maj, protesta ka përshkallëzuar në dhunë, mes pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR dhe protestuesve serbë.
“Bashkimi Evropian dënon fuqishëm dhunën ndaj qytetarëve, trupave të KFOR-it, organeve të rendit dhe mediave në veri të Kosovës. Dhuna ka mundur të evitohet dhe duhet të evitohet në të ardhmen. Bashkimi Evropian qëndron fuqishëm mbrapa misionit të KFOR-it dhe misionit të EULEX-it në përmbushjen e mandateve të tyre përkatëse”, thuhet në deklaratë. “Ne ftojmë të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë që menjëherë dhe pa kushte të ndërmarrin masa për të qetësuar situatën, të ndalin retorikën përçarëse dhe të përmbahen nga secili veprim tjetër i pakoordinuar”.
Në deklaratë theksohet se qetësia duhet të kthehet urgjentisht dhe Kosova e Serbia janë paralajmëruar për pasoja, në rast se situata nuk përmirësohet shpejt.
“Bashkimi Evropian është i gatshëm të zbatojë masa të rrepta”, thuhet në deklaratë. “Dështimi për t’i ulur tensionet do të rezultojë me pasoja negative”.
Pas presionit ndërkombëtar ndaj Kosovës, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë shprehur gatishmëri për të organizuar zgjedhje të parakohshme në veriun e banuar kryesisht me serbë, në rast se qytetarët e kësaj pjese shprehin gatishmëri të marrin pjesë në to, pasi theksojnë se bojkoti i demonstruar në prill buroi nga presioni i Beogradit dhe i Listës Serbe që paraprakisht braktisi institucionet lokale e qendrore.
Sa i përket Serbisë, BE-ja në deklaratë ka shprehur shqetësim për vendosjen e forcave të armatosura në gjendjen më të lartë të gatishmërisë, në kufi me Kosovën.
Nga palët është shprehur pritja të veprojnë me urgjencë për t’i zbatuar marrëveshjet e fundit, të arritura me ndërmjetësimin e BE-së.
“Bashkimi Evropian, pret nga Kosova dhe Serbia të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, për të gjetur zgjidhje për situatën në veri, që garanton siguri dhe pjesëmarrje për të gjithë qytetarët. Diçka e tillë hap rrugë për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe Aneksit. Kjo përfshin edhe nisjen, pa asnjë vonesë tjetër dhe pa parakushte të punës për ta themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga blloku evropian.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij. Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.