Departamenti i Drejtësisë i kërkoi një gjykate të premten të hedhë poshtë akuzat për korrupsion kundër kryebashkiakut të qytetit të Nju Jorkut, Eric Adams. Një zyrtar i lartë nga Uashingtoni e bëri kërkesën pasi prokurorët federalë në Manhattan nuk pranuan ta pushonin çështjen dhe disa dhanë dorëheqjen në shenjë proteste.
Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm në detyrë Emil Bove, numri dy i departamentit dhe zyrtarë nga seksioni i integritetit publik dhe divizioni penal paraqitën dokumente duke kërkuar pushimin e çështjes.
Ata thonë se rasti ishte komprometuar dhe se vazhdimi i tij do të ndikonte tek gara e kryebashkiakut për t’u rizgjedhur. Gjykatësi nuk e ka miratuar kërkesën.
Njoftimi erdhi disa orë pasi zoti Bove bëri një telefonatë me prokurorët e seksionit të integritetit publik të Departamentit të Drejtësisë – që trajton rastet e korrupsionit – dhe u dha atyre një orë kohë për të zgjedhur dy persona për të nënshkruar mocionin për shkarkim, duke thënë se ata që e bënin një gjë të tillë do të merrnin një ngritje në detyrë, sipas një personi me dijeni për këtë çështje.
Pasi përfundoi telefonata, prokurorët ranë dakord që të gjithë të jepnin dorëheqjen. Por një prokuror veteran më pas u tërhoq nga shqetësimi për vendet e punës së juristëve më të rinj në atë njësi, tha personi, i cili foli në kushte anonimiteti për të diskutuar detajet e takimit privat.
Asnjë nga prokurorët federalë në Manhattan, e cila ngriti çështjen Adams, nuk e nënshkroi dokumentin. Lëvizja vjen pesë ditë pas përplasjeve mes udhëheqjes së Departamentit të Drejtësisë në Uashington dhe zyrës së tij në Manhattan.
Të paktën shtatë prokurorë në Manhattan dhe Uashington dhanë dorëheqjen në vend që të zbatonin urdhrin e zotit Bove për të ndalur çështjen, përfshirë edhe prokuroren e përkohshme amerikane të Manhattan, Danielle Sassoon dhe shefin në detyrë të seksionit të integritetit publik në Uashington.
Departamenti i Drejtësisë tha në mocionin drejtuar gjyqtarit Dale E. Ho se po kërkonte të hidheshin poshtë akuzat ndaj zotit Adams me një opsion për t’i ringritur ato më vonë.
Zonja Sassoon, një republikane, që ishte emëruar drejtuese e përkohëshme e zyrës federale për Distriktin Jugor të Nju Jorkut, akuzoi Departamentin e Drejtësisë se kërkonte ta pushonte çështjen në këmbim të ndihmës së zotit Adams për agjendën e imigracionit të Presidentit Trump. Prokurorja tha se ajo ishte “e bindur” se kryebashkiaku demokrat i kishte kryer krimet për të cilat ishte akuzuar.
Zonja Sassoon tha se përpara se Departamenti i Drejtësisë të kërkonte rrëzimin e akuzave, prokurorët ishin bërë gati ta akuzonin Kryebashkiakun Adams për shkatërrim provash dhe se kishte udhëzuar të tjerë që të shkatërronin prova dhe t’i jepnin informacione të rreme FBI-së.
“Jam shtangur nga procesi i nxituar dhe sipërfaqësor përmes së cilit u arrit ky vendim,” i shkruante të mërkurën zonja Sassoon Prokurores së re të Përgjithshme të zotit Trump, Pam Bondi. Agjencia Associated Press ka siguruar një kopje të letrës.