SHBA-ja ka lëshuar një paralajmërim, duke thënë se inteligjenca kineze po përdor metoda mashtruese për të synuar punonjësit aktualë dhe ish-punonjësit e qeverisë amerikane, me qëllim rekrutimin e tyre.
Ky paralajmërim u dha nga Qendra Kombëtare e Kundërzbulimit dhe Sigurisë, në një periudhë kur po zhvillohen pushime të mëdha federale, të udhëhequra nga Departamenti i Qeverisë së Efikasitetit, nën Elon Musk, transmeton klankosova.tv.
Në buletinin e lëshuar, sipas Reuters, qendra theksoi se “entitetet e huaja të inteligjencës, veçanërisht ato kineze, po përdorin metoda mashtruese për të rekrutuar punonjës aktualë dhe ish-punonjës të qeverisë amerikane, duke u paraqitur si firma konsulence, gjuetarë të korporatave, grupe ekspertësh dhe entitete të tjera në rrjetet sociale dhe platformat profesionale”, transmeton Gazeta Papirus.
Qendra gjithashtu shpjegoi se këto oferta të punës në internet dhe metoda të tjera janë bërë më të sofistikuara dhe të synuara për individët që kanë lidhje me qeverinë amerikane dhe kërkojnë mundësi të reja pune. Ajo u bëri thirrje punonjësve aktualë dhe ish-punonjësve federalë të jenë të kujdesshëm ndaj këtyre përpjekjeve.
Po ashtu, u theksua se personat me leje të veçantë janë të detyruar të mbrojnë të dhënat e klasifikuara edhe pasi të largohen nga puna federale.
Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme kineze reagoi duke thënë se nuk kishte informacione për situatën, dhe akuzoi SHBA-në për spiunazh ndaj Kinës.
Zëdhënësi i ministrisë, Lin Jian, e quajti veprimin e SHBA-së si “praktikë të papërgjegjshme” dhe tha se SHBA-ja po angazhohej në “spiunazh global pa asnjë maskim”.