Shefki Shatri nga Shoqata e Fermerëve të Istogut, ka deklaruar se subvencionet për prodhuesit vendorë nuk mjaftojnë po që se nuk mbrohen produktet e vendit. Ai ka treguar se ka rreziqe nga invazioni i jashtëm që sipas tij shesin produkte në mënyrë të jashtëligjshme , për çka nuk ndërmerren masa.
I ftuar në emisionin SOT të KTV-së, Shatri ka treguar një faturë se si në Kosovë janë importuar mishra të viçit me çmim prej 1.30 euro, që sipas tij, janë çmime artificiale dhe në këtë mënyrë po bëhet shpëlarje parash.
“Në qoftë se ne nuk i mbrojmë produktet e prodhimet tona duke filluar nga mishi, qumështi dhe produkte të tjera, faktikisht nuk arrijmë asgjë edhe po t’i dhjetëfishojmë subvencionet. Këtu e kam një faturë, viça të importuar nga një shtet prej 1.30 euro, nuk e di a ka diku në botë mish viçi me 1.30 të importuar nga jashtë. Faktikisht këtu dikush është duke bërë shpëlarje të parave, dikush është duke e dëmtuar fermerin tonë që ndoshta nuk mund ta shesë produktin e tij pasi që tregtarët e pandërgjegjshëm e kanë rrugën e hapur. Dikush duhet të fusë sanksione, asnjë masë ende nuk është marrë. Në qoftë se produktet e bizneseve vendore nuk mbrohen prej invazionit të jashtëm në mënyrë jo të ligjshme, këto janë të rrezikshme jashtëligjore, prokuroria duhet të marrë masa sa më shpejt”, ka thënë Shatri.