Kandidati i PDK-së për deputet, Ferat Shala, ka kritikuar Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) se po punon nën diktatin e politikës ditore.
Ai ka vlerësuar se ky komision, i cili është rregullator i minierave, po e shkel ligjin dhe po saboton punën e qindra ndërmarrësve.
Në profilin e tij në “Facebook”, Shala ka shkruar se ky komision po e godet rëndë një industri të tërë dhe po e vështirëson ekzistencën e mijëra punëtorëve të kësaj industrie.
“Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) që është rregullator i minierave, nën diktatin e politikës ditore, po vazhdon të shkelë ligjin dhe të sabotojë punën e qindra ndërmarrësve. Tashmë dihet edhe publikisht se bordi i këtij rregullatori, me urdhra politikë, po e godet rëndë një industri të tërë dhe po e vështirëson ekzistencën e mijëra punëtorëve të kësaj industrie. Duke shfrytëzuar kohën e fushatës elektorale, kur nuk ka llogaridhënie, bordi po vazhdon me ndjekjen dhe dëmtimin e ndërmarrjeve private”, ka shkruar Shala, duke u zotuar se këto probleme do të zgjidhen me Bedri Hamzën kryeministër.
“Ne ju garantojmë të gjitha bizneseve të goditura se këto probleme të tyre do të zgjidhen shpejtë dhe me korrektësi menjëherë në muajt e parë të qeverisjes së kryeministrit të ri Bedri Hamza”, ka shkruar Shala.