Pjetër Shala i përfaqësuar nga mbrojtja e tij, ka dorëzuar në Apel kërkesën kundër urdhrit për zhdëmtim që iu shqiptua më 29 nëntor 2024, i cili e obligonte që t’iu paguante viktimave 208 mijë euro.
Duke u mbështetur në pesë pika, Shala kërkon që të Paneli i Apelit ta pezullojë shqyrtimin e apelimit kundër këtij urdhri për zhdëmtim derisa të shqyrtohet apelimi për dënimin me 18 vjet burg, ndaj tij për krime lufte ose ta anulojë masën e dhënë dhe ta kthejë atë në rishqyrtim tek një trup gjykues tjetë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, në kërkesën e dorëzuar më 28 janar 2025, thuhet se Paneli i gjyqtarëve ka gabuar duke e mbajtur përgjegjës Shalën për dëmin që nuk është shkaktuar nga veprimet ose mosveprime e tij.
“Ai (trupi gjykues) ka përdorur një definicion të papranueshëm të ‘shkakut’, duke ia atribuar përgjegjësinë zotit Shala për rrethana dhe veprime të palëve të treta që janë shumë të largëta nga veprimet e tij. Paneli ka gabuar duke konsideruar se dëmet në kuadër të DhSK-së mund të kenë një “vlerë simbolike, parandaluese ose transformuese”, që ka çuar në një interpretim të gabuar dhe të gjerë të ligjit, duke sjellë përfundime të paarsyeshme dhe të padrejta që shkelin të drejtat e zotit Shala për një proces të drejtë”, thuhet në ankesë.