Në rajonin e Argolidës në jug të Greqisë, këto tuba përdoren për të vaditur fushat me portokalle, por humbjet e ujit janë të mëdha për shkak se disa prej tyre janë të dëmtuara.
“Pompat që marrin ujë nga burimi Anavalos kanë një kapacitet deri në afërsisht 10,000 metra kub ujë, shumë më pak përfundojnë në kanalet tona vaditëse dhe fushat tona”, tha George Mavras.
Për t’u kujdesur për të mbjellat e tyre fermerët gërmojnë deri në 300 metra nën sipërfaqe në kërkim të ujit. Shpesh del shumë i kripur sepse uji i detit ka depërtuar në akuiferët nëntokësorë.
“Me uljen e nivelit të akuiferit, uji i detit ka një përçueshmëri të lartë. Uji i kripur është i dëmshëm për pemët dhe për frutat. Kjo është edhe arsyeja pse gjatë vitit 2024 në rajonin e Argolidës kishte një rënie prej 30% të prodhimit”, tha Mavras.
Në verë, kur nivelet e rezervuarëve bien, autoritetet këshillojnë banorët të mos pinë ujin që vijnë nga tubacionet por ta blejnë atë.
“Marrëdhënia jonë me ujin është e vështirë”, shprehet Lydia Sarakinioti.
Lydia Sarakinioti, e cila ka një argjendari në Nafplion përdor ujë në shishe edhe për të gatuar.
“Kur vjen puna për higjenën personale përdor ujë të blerë. E njëjtja gjë vlen edhe për gatimin, edhe kur bëj makarona nuk përdor ujin e rubinetit por atë në shishe. Gjatë verës madje përdor ujë të blerë për të larë dhëmbët”, thotë Sarakinioti.
Pothuajse të gjithë banorët përdorin ujin në shishe plastike, i cili krijon problemet e veta mjedisore.
“Gjatë verës nuk ka asnjë person që nuk pi ujë në shishe. Kjo është arsyeja pse këto stacione riciklimi mund të riciklojnë deri në 25,000-30,000 shishe në ditë në verë”, thotë Sarakinioti.
Banorët shprehin zhgënjimin e tyre që autoritet nuk kanë marrë masat e duhura për të shmangur humbjet e ujit.
“Ky ujë, i njëjti që përmendet në veprat mitologjike, është uji që ushqen qytetet e Argosit dhe Nafplionit. Fatkeqësisht, menaxhimi i tij është në një gjendje të tmerrshme. Të dy furnizuesit kanë më shumë se 50% të humbjeve të ujit. Dhe nuk është vetëm se po humbasim ujin, por gjithashtu na kushton në faktin se po paguajmë energjinë elektrike që përdoret për pompimin e ujit”, shprehet Babis Antoniadis.
Këtë muaj, BE-ja nisi një fushatë për të luftuar krizën e ujit të shkaktuar nga ndryshimet klimatike, që thotë se tashmë prek 38% të popullsisë së saj.
Unioni u ka dhënë vendeve anëtare afat deri në vitin e ardhshëm për të vlerësuar nivelet e humbjeve të ujit përpara se të vendoset një prag ligjor.
Programi për të rritur sigurinë e ujit pritet të kushtojë qindra miliarda euro.
Ky vendim i bllokut vjen pasi vendet në të gjithë Evropën Jugore po përjetojnë një mot gjithë e më të ngrohtë dhe temperatura më të larta të lidhur me ngrohjen globale.
Greqia është një nga këto vende.
Për më tepër, kriza e borxhit 2009-18 në shtetin fqinj ka bërë që autoritet për vite të tëra të mos investojnë në këtë drejtim.
Greqia humbet rreth gjysmën e ujit të pijshëm nga tubacionet e dëmtuara dhe vjedhjet, tregojnë shifrat e qeverisë – gati dyfishi i mesatares së BE-së prej 23%.
Këtë e konfirmon edhe ky zyrtar që punon në Ministrinë e Mjedisit.
“Problemi është se në vend humbjet e ujit janë mesatarisht rreth 40%, por ka zona të caktuara që kjo shifër shkon deri edhe në rreth 60%. Nga një anë kemi humbjet në rrjet, por edhe shumë vjedhje të ujit”, thotë Petro Varelidis.
Shumica e hartave të rrjetit të saj të tubacioneve nëntokësore ose nuk janë të dixhitalizuara ose nuk ekzistojnë, thanë ekspertët dhe zyrtarët. Autoritetet greke kanë shpenzuar më shumë se 1.5 miliardë Euro për infrastrukturën e ujit të pijshëm që nga viti 2019, por sërish këto investime nuk kanë qenë të mjaftueshme.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis premtoi të bënte rregullime për problemet e ujit të Argolidës kur ai vizitoi në Nëntor, duke përfshirë zgjerimin e rrjetit të ujitjes dhe sigurimin e një njësie shkripëzimi.