Daniel Serwer, profesor në programin për menaxhimin e konflikteve, ka thënë se ShBA-ja po e favorizon perspektivën e Serbisë në dialogun me Kosovën, ndërkaq kësaj të fundit nuk po ia dhuron atë që e kërkon, pra njohjen reciproke dhe anëtarësimin në OKB.
Sipas Serwer, e gjithë kjo u bë e qartë pas mesazhit të sotëm të Departamentit të Shtetit për Ditën Kombëtare të Serbisë, ku flet për nënshkrimin e memorandumit të mirëkuptimit për krijim të pozicioneve ndërlidhëse me diplomatë serbë brenda departamentit amerikan.
“Oficerë të tillë ndërlidhës mësojnë shumë rreth funksioneve të brendshme të diplomacisë amerikane. Edhe nëse caktohen në role larg Byrosë Evropiane, sinjali që po dërgon Uashingtoni është i qartë: Ne favorizojmë perspektivën e Serbisë në dialog. E vetmja mënyrë për ta bërë këtë lëvizje të këndshme është që të njëjtën gjë t’ia ofrojë Kosovës brenda dy ditësh, kur është përvjetori i Pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Serwer.
“Ajo që Uashingtoni nuk po bën është të japë atë që dëshiron Kosova: Njohjen e Serbisë dhe anëtarësimin në Kombet e Bashkuara. “Normalizimi” mund të nënkuptojë njohje ndërkombëtare për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, por jo për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Është e vështirë të imagjinohet një rezultat më i keq për Prishtinën”.
Sipas tij, Uashingtoni pret që favoret e tij ndaj Beogradit t’i kthehen në një të ardhme të pacaktuar, ndërsa kërkon që Prishtina të pajtohet me “Ballkanin e Hapur” dhe Asociacionin që tani.
“Nuk do të jetë e vështirë për Beogradin të pajtohet me “normalizimin” që përfshin vërtetimin e autoritetit të Serbisë mbi popullsinë serbe të Kosovës. Pasi të bëhet kjo, Serbia do të presë analogun në Bosnje dhe Mal të Zi”.
ShBA-ja, tha profesori, po e mbështet propozimin e përpjekjeve të Beogradit për të ndarë qeverisjen e popullatës me shumicë serbe të Kosovës nga autoritetet e Prishtinës përmes krijimit të një Asociacioni të Komunave me shumicë serbe. Dhe kjo, sipas tij, do të krijojë një tjetër “Republika Serbe” de fakto.
“Republika Serbe e Bosnjës tani po përgatitet të refuzojë autoritetin e gjykatave të Sarajevës. Të njëjtën gjë mund ta presim edhe në Kosovë, nëse Asociacioni formohet me kompetencat ekzekutive që kërkon Beogradi”, ka shkruar Serwer në blogun e tij.