“Me kompetencë ju them, jo vetëm nga përvoja por edhe rrethanat, se protestat nuk janë rruga e duhur për të ecur përpara”.
Kështu është përgjigjur kryeministri Albin Kurti, pas paralajmërimeve nga kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, se në Kosovë do të mbahen protesta lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, shkruan lajmi.net.
“Nuk mendoj që protestat janë të nevojshme për këtë çështje. Do t’i kuptoja nëse do të kishin protestuar kundër krimit apo korrupsionit. Por, protestat nuk janë rruga e duhur. Kjo nuk i kontribuon marrëdhënieve të mira mes Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur shefi i qeverisë të mërkurën në një konferencë për media.
Sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve të 3 prillit në territorin e Kosovës, Kurti ka thënë se qeveria nuk ka refuzuar, por se mes dy vendeve nuk është arritur asnjë marrëveshje paraprake e cila paraqet kushtin për mbajtjen e tyre.
Sipas tij, Bashkimi Evropian nuk ka qenë i lumtur që Qeveria e Kosovës nuk ka pranuar që gjithçka të përmbyllet me një letër shkëmbimi ndërmjet zyrtarëve./Lajmi.net/