Edhe këtë vit, udhëtoi për afër 500 km. Për krejt këtë rrugë, Slavisha Stamenkoviq, nga Smedereva e Serbisë, ka një arsye. Ky donte të merrte pjesë në meshën e së enjtes, në kishën ortodokse në Bardhosh të Prishtinës.
Krejt kjo, për ta shënuar Festën e Shpëtimtarit, që tek ortodoksët, festohet 40 ditë pas Pashkëve.
“Jo s’ka organizim, kushdo mundet me ardh, edhe serbët që jetojnë këtu edhe ata vijnë”, tha Slavisha Stamenkoviq, qytetar serb nga Smedereva.
Stamenkoviq, thotë se kjo liturgji u paralajmërua tek institucionet e Kosovës. Prandaj, ata nuk e patën as edhe një problem.
“Policia e di kur o festa, ka qenë këtu, asnjë problem s’e kemi pasur deri me tash, dhe s’e mendoj që duhet me pas”, shtoi ai.
Bashkë me të, të enjten nga ora 7 e mëngjesit deri në orët e pasdites, këtu qëndruan edhe dhjetëra qytetarë serb të besimit ortodoks.
Krejt këta, kishin udhëtuar me veturat e tyre nga qytete të ndryshme të Serbisë.
Ndërsa nga atje, i kishin marrë edhe gjerat e nevojshme.
Ndërsa që gjithçka të shkonte mirë, po përkujdesej Policia e Kosovës.
Por këtyre të fundit, të enjten punë iu doli në një lokacion tjetër.
Ani pse terrenin e kishin përgatitur, priftërinj ortodoks e disa qytetarë serbë, liturgjinë nuk arritën ta kryenin në oborrin e Universitetit të Prishtinës.
Se në këtë objekt nuk u mbajt liturgji, e kanë konfirmuar edhe në Policinë e Kosovës, raoorton tëvë 1.
“Sot rreth orës 04:30, njësia patrulluese policore përgjatë kryerjes së detyrave të zakonshme në zonën qendër, ka ndaluar një veturë me tre persona, dy nga të cilët shtetas të huaj. Ndërkohë që janë kryer veprimet e nevojshme verifikuese nga ana e policisë, të njëjtit janë lënë të lirë për të vazhduar më tej”, thuhet në sqarimin e Policisë.
Për këtë rast, ka reaguar edhe e ashtuquajtura zyra serbe për Kosovë.
Shefi i kësaj zyre, Petar Petkoviq, ka thënë se kjo ndalesë tregon qëndrimin e autoriteteve në Prishtinë ndaj lirive fetare në Kosovë.
Ndryshe, vitin e kaluar, priftërinj e qytetarë serb, mbajtën liturgji ilegale në këtë objekt, të parën nga vitet e 90-ta.