Komuniteti serb në katër komunat veriore ka kremtuar festën e Krishtlindjeve Ortodokse duke kënduar këngë nacionaliste dhe valëvitur flamuj të Serbisë në të cilët shihet edhe harta e Kosovës. Në video të siguruara nga televizioni shihen edhe persona të maskuar në afërsi të komunës së Leposaviqit. Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut,Veton Elshani ka thënë se deri më tani ka shkuar gjithçka qetë por që sipas tij situata e sigurisë vazhdon të mbetet e brishtë.
Të maskuar e me flamuj serb, festën e nisën në orët e pasdites të hënën.
Grupe të serbëve në komunat veriore kremtuan Krishtlindjet Ortodokse duke kënduar këngë nacionaliste serbe pranë komunës së Leposaviqit.
Në grupe të ndryshme në rrjetin social telegram, televizioni ka siguruar video dhe fotografi ku shihet edhe thirrja “Kur Ushtria të kthehet në Kosovë” me hartën e Kosovës mbi flamurin serb.
Në kremte u panë edhe shkrepje armësh.
Përveç kësaj, aty bëhet thirrje edhe për t’u uniformuar ku janë publikuar edhe uniforma të ushtrisë serbe.
Megjithatë, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani ka thënë për Tëvë1 se festat kanë kaluar pa ndonjë incident.
“Situata në veri të vendit konsiderohet e qetë, delikate normalisht që vazhdon të jetë për arsyeje të rasteve që kanë ndodhur mirëpo ka qenë e qetë, festa e krishtlindjeve edhe mbrëmë edhe para dy ditësh ka qenë e qetë kemi pas persona që kanë festua, nuk kemi diçka me theksu. Ne jemi në veri të vendit me numër të shtuar të policëve, çdo gjë është e qetë”, ka deklaruar ai.
Megjithëkëtë, njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi thotë që këto festa serbët mund t’i përdorin edhe për ngritje tensionesh.
“Duke shtënë me armë, mjete piroteknike e të tjera, por edhe duke shpërfaqur parullat nacionaliste edhe fyese ndaj shtetësisë së Kosovës, jo vetëm në katër komunat në veri por edhe tentativa që edhe në Bujanoc ku është bllokuar rruga dhe ka pas tendenca me hy në komunë. Krejt kjo tregon se është e orkestruar nga Beogradi”.
“Realiteti është që, pra realisht ka tendenca për destabilizim duke marrë parasysh edhe gjendjen në Kosovë pra çdoherë të shtytur nga apetitet serbe me në krye Vuciqin i cili ka tash problemet e brendshme në Serbi me protesta në vazhdim gjithqytetare”, tha ai.
Ditë më parë kryeministri i vendit, Albin Kurti paralajmëroi se para dhe pas Vitit të Ri mund të ketë sulme të tjera në katër komunat veriore, pas atij të 29-nëntorit në kanalin kryesor të Iber-Lepencit.