Po deshën, serbët e larguar nga institucionet, mund të kthehen në pozitat e tyre.
Kjo vlen për ata që ikën nga nga institucionet e drejtësisë në veri të Kosovës dhe nga Policia, meqë procedurat ligjore për shkarkimin e tyre janë ende në vazhdim.
Këtë opsion nuk e kanë edhe kryetarët e katër komunave veriore. Dorëheqja e tyre është e parevokueshme. Opsione tjetër pos zgjedhjeve të jashtëzakonshme nuk ka.
“Neni 4 i Kushtetutës i parasheh ligjet për zgjedhjet lokale dhe ato duhet të mbahen brenda afatit. Ata nuk mund të kthehen në asnjë mënyrë”, theksoi për “Front Online” Mazllum Baraliu, njohës i Kushtetutës.
Sipas tij, të kthyer në institucione tjera mund të përballen me masa disiplinore për shkak të veprimeve të tyre, pra për shkak të vendimit për t’u larguar nga institucionet për arsye politike.
“Pra të përcaktohen komisionet përkatëse, shkeljet disiplinore të këtyre njerëzve dhe mandej t’i pasojnë procedurat disiplinore duke i trajtuar ato letrat e dorëheqjes së secilit dhe secilës prej tyre”, vlerësoi Baraliu.
Dorëheqjet e serbëve erdhën në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.