Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu u detyrua ta ndërprejë për pesë minuta mbledhjen e Senatit të UP-së, që u mbajt të premten, më 21.02.2025.
Kjo për shkak se senatorët e Fakultetit Filozofik në UP, Bekim Baliqi dhe Sejdi Rexhepi nuk iu bindën kërkesës së rektorit Hajrullahu që të vetëpërjashtohen nga salla, ku mbahej mbledhja e Senatit të UP-së.
Vetëpërjashtimi i senatorëve Baliqi dhe Rexhepi u kërkua nga rektori Hajrullahu, pasi ata janë pjesë e Komisionit vlerësues të Pozitës 7 të Konkursit të datës 31.05.2023, në Fakultetin Filozofik në UP, e cila ishte Pika e Tretë e Rendit të ditës të kësaj mbledhjeje.
Dhe, sipas një opinioni të Zyrës ligjore të UP-së, pjesëmarrja e senatorëve Baliqi dhe Rexhepi në mbledhjen e Senatit të UP-së, në shqyrtimin dhe votimin për Pozitën 7 të Konkursit të datës 31.05.2023, paraqet konflikt interesi.
Baliqi në fillim të mbledhjes kërkoi që pika e shqyrtimit të Pozitës 7 të Konkursit të datës 31.05.2023 të shtyhet derisa ta marrin një opinion nga një institucion, si Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), nëse prezenca e tij dhe e senatorit Sejdi Rexhepi paraqet konflikt interesi në mbledhjen e Senatit të UP-së, kur shqyrtohet dhe votohet kjo Pikë.
Hajrullahu ka lexuar opinionin e Zyrës ligjore të UP-së në lidhje me Baliqin dhe Rexhepin, për të cilët tha se janë hartues të Raportit të Komisionit vlerësues të Konkursit të datës 31.05.2023, në Fakultetin Filozofik.
“Dekani dhe senatori janë autorë të Raportit të Komisionit vlerësues dhe shqyrtimi i këtij Raporti do të ndikojë drejtpërsëdrejti mbi ta, pasi përmban konstatime mbi punën që ata vetë kanë kryer. Ky fakt krijon një interes privat, të drejtpërdrejtë, pasi vendimi mbi këtë Raport ndikon në integritetin dhe përgjegjësinë e tyre profesionale, duke rrezikuar paanshmërinë e vendimmarrjes. Pjesëmarrja e tyre krijon të paktën një konflikt interesi në dukje që duhet shmangur.” – ka thënë Hajrullahu.
Duke u bazuar në opinionin e Zyrës ligjore të UP-së, Hajrullahu ka kërkuar që Baliqi dhe Rexhepi të vetëpërjashtohen nga mbledhja e Senatit të UP-së për Pikën ku shqyrtohet dhe votohet Pozita e 7 e Konkursit të datës 31.05.2023.
Por, Baliqi, pasi nuk është pajtuar me opinonin e Zyrës ligjore të UP-së, u shpreh se do të duhej të përjashtohej edhe rektori Hajrullahu nga mbledhja e Senatit të UP-së, për Pikën Tre të mbledhjes, duke u arsyetuar se Rektori i njeh kandidatët e përfshirë në Konkurs.
“Të lus me mirësi për mos me na vonu. Na lironi sallën. Për sa i përket Pikës Tre, edhe pastaj je i barabartë.” – i ka thënë Hajrullahu – Baliqit.
Më pas, Hajrullahu u është drejtuar senatorëve Baliqi e Rexhepi, nëse dëshironin t’i thërriste punëtorët e sigurimit të UP-së, apo do ta lironin vetë sallën ku mbahej mbledhja e Senatit.
“Ne kemi të drejtë të votojmë. Nuk kemi të drejtë ta kontestojmë përmbajtjen (e Raportit të Komisionit vlerësues të Konkursit), për arsye se ne vetëm japim mendimin si përfaqësues (të Fakultetit).” – ka thënë senatori Sejdi Rexhepi.
Sipas senatorit Rexhepi nuk është “i sinqertë” opinioni i juristëve të UP-së, i cili konstaton se ka konflikt interesi pjesëmarrja e tij dhe e Baliqit në mbledhje të Senatit, kur shqyrtohet dhe votohet për Pozitën 7 të Konkursit të datës 31.05.2025.
Pasi Baliqi e Rexhepi nuk janë vetëpërjashtuar nga mbledhja e Senatit të UP-së, Hajrullahu e ka ndërprerë mbledhjen për pesë minuta duke shpresuar se senatorët e Filozofikut do të reflektonin.
“Unë vetëm e ndërpres në këtë moment mbledhjen e Senatit për pesë minuta. Edhe shpresoj që këta do të reflektojnë. Pesë minuta pauzë, derisa na lirohen kolegët, përkitazi për Pikën Tre. Jemi tu fol vetëm për Pikën Tre (të mbledhjes).” – tha Hajrullahu.
Pas pesë minutash, Hajrullahu dhe të gjithë senatorët janë kthyer në mbledhjen e Senatit dhe ai ka thënë se i kanë dy opsione për ta zgjidhur këtë situatë.
“Po, konstatoj që kolegët të cilët faktikisht nuk do duhej të ishin në sallë për Pikën Tre, meqenëse është shumë e qartë që do të shkaktojnë konflikt të interesit… Ne mundemi me marr vendim si Senat me pezullu derisa një ditë, e ajo ditë, mund të ndodhë është një muaj, dy, tre muaj, Agjencioni për Parandalim të Korrupsionit të na kthen neve përgjigje. A rasti është shumë ma serioz. Ne jemi tu e rreziku në mënyrë serioze humbjen e akreditimit të Programeve për Pozitën në fjalë.” – ka deklaruar Hajrullahu.