Senati i Universitetit të Prishtinës do të mblidhet të mërkurën për të diskutuar lidhur me “shkeljet e përsëritura disiplinore, joakademike dhe joetike” të profesorit Bekim Bejta, ka njoftuar Parlamenti Studentor.
Parlamenti Studentor ka thënë se e mirëpret mbledhjen e jashtëzakonshme të senatit si dhe dy protestat e paralajmëruara për nesër, para Fakultetit të Filologjisë dhe para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës.
“Në mbledhjen e cila do të mbahet nesër, do të diskutohet dhe do të merret vendimi lidhur me shkeljet e përsëritura disiplinore, joakademike dhe joetike të Prof. Asoc. Dr. Bekim Bejta, mësimdhënës në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Fakultetin e Filologjisë”, thuhet në njoftimin e Parlamentit Studentor.
Përfaqësuesit e Parlamentit kanë thënë se do të jenë të zëshëm dhe të vendosur për të kërkuar masa radikale, përfshirë përjashtimin e profesorit.