Sulmuesi kosovar, Astrit Selmani, ka vendosur të largohet nga Dinamo Bukureshti dhe nuk do të jetë pjesë e futbollit rumun për sezonin e ardhshëm.
Selmani, i cili ka pasur një paraqitje të shkëlqyer këtë sezon, ka refuzuar ofertën e klubit për rinovimin e kontratës, që i skadon në fund të kësaj vere, si dhe ka refuzuar interesin nga skuadrat e tjera të Superligës së Rumanisë.
27-vjeçari ka vendosur të kërkojë mundësi të reja në futbollin evropian, pas një periudhe të suksesshme te Dinamo, ku ka arritur të shënojë 13 gola dhe të realizojë 6 asistime gjatë këtij sezoni.
Para transferimit te Dinamo Bukureshti, Selmani ka luajtur në Izrael, Suedi dhe Danimarkë, duke grumbulluar një përvojë të pasur ndërkombëtare. Po ashtu, ai ka shënuar një gol në 5 paraqitje për Kombëtaren e Kosovës.
Selmani tani është në kërkim të mundësive të reja, me shpresën për të vazhduar karrierën e tij në një ligë më të fortë në Evropë./Gazeta Papirus/