Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, në FRONTAL të T7 ka folur për përgjimin që ka dalë ku shefja e GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila dëgjohet teksa flet në telefon me Milan Radojiçiqin.
Selmanaj ka thënë se është keq për Kosovën që duhet mediat të bëjnë një punë të madhe dhe që duhet të ndodhin momente si kjo me përgjimet për të shpërfaqur fytyrën e vërtetë të Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan Express.
Deputeti i LDK-së tutje ka shtuar se Vetëvendosje ka treguar që nuk e ka problem të bashkëpunojë as me Radojiçiqin e as me Vuçiqin.
“Fatkeqësisht po duhet të dalin momentet të tilla për t’I shpërfaqë, për të nxjerrë fytyrën e vërtetë. Kjo është keq për Kosovën. LVV ka ndërtu një narrativë tjetër nga ajo që është. Tash po tregojnë që s’e kanë problem me bashkëpunu me askënd. Kanë rënë në grackën e vetë”, ka thënë Selmanaj.
Duke u ndërlidhur me deklarimet e mëhëershme të Simiqit, Selmanaj ka thënë se duhet publikohet e gjithë biseda për të parë se për çfarë ka biseduar Kusari-Lila me personin që SHBA e ka futur në listë të zezë.
“Dolën vetëm pak sekonda. Është me interes që të dalë e gjithë biseda”, ka shtuar Selmanaj.
Ai ka shprehur bindjen e tij që Kusari-Lila me Radojiçiqin ka folur vetëm me lejen e kryeministrit Albin Kurti.
“Unë jam I bindun që Mimoza Kusari e ka bërë dicka të tillë me lejen e Kurtit”, ka thënë Selmanaj.