Mungesa e fuqisë punëtore në vend ka filluar të vërehet dukshëm.
Paga e ulët, pasiguria në vendin e punës janë disa nga arsyet që punëtorët po largohen nga Kosova drejt vendeve evropiane.
Por një ikje të madhe të punëtorëve, Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat paralajmëron se do të ndodhë në pranverë.
Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, ka thënë për Tëvë1 se vetëm gjatë vitit 2020-2021 janë mbi 93 mijë punëtorë që kanë lënë vendin.
“Ikja e punëtorëve në përgjithësi është problemi më madhor në Kosovë, pasi që me fillimin e Pranverës shume projekte që janë të parapara të kryhen nga institucionet shtetërore por edhe kompanitë private ato jo që do të mbesin në gjysmë por nuk do të mund të realizohen as 25%, pasi që asnjë kompani nuk do të mundet të punojë më një kapacitet 25% për shkak të mungesës së punëtorëve pasi që kemi një ikjë të madhe, vetëm në vitin 2020-2021 sipas të dhënave janë mbi 93 mijë që kanë lëshu vendin e punës dhe kanë ik jashtë”, tha ai.
Megjithatë, ikja e punëtorëve nga vendi vazhdon të jetë problem aktual tash e sa vite edhe në sektorin e shëndetësisë.
Nga Oda e Infermierëve të Kosovës thonë se numri i infermierëve që kërkojnë licensë të nostrifikuar për të ikur jashtë shtetit vazhdon të jetë i lartë.
“Më tëpër është tash në Janarin e këtij viti, në vitin 2021 kanë qenë diku 140 infermierë që ne i kemi në evidencë, ata kërkojnë vërtetimin që të shkojnë jashtë qe kanë shkelje të kodit etik, ne vetëm këtu bazohemi sepse ky nr mund të jetë shumëfishë më i madh diku rreth 50%. Kurse krahasuar me 2021 është shtatëfish më i madh numri i infermierëve që kanë ik nga vendi. Derisa nga janari i këtij viti janë 45 infermierë që e kanë kërku licensë dhe me të vërtetë është shqetësuese”, deklaroi kryetari i OIK, Naser Rrustemi.
Por një kërkesë e njejtë nuk është edhe në sektorin e arsimit.
“Për momentin fatmirësisht nuk kemi ndonjë alarm se kemi ndonjë ikje me numër të madh ka individ, por është zhgënjimi që po i bënë të shkojnë, pra Ligji i Pagave është ai që i zhgënjeu sektorët tjerë por nuk janë të lumtur as në sektorin e arsimit”, u shpreh Rrahman Jasharaj nga SBASHK-u.
Sipas tij, një nga arsyet kryesore që shumë të rinj dhe të reja po ikin nga vendi janë kushtet më të mira të punës dhe një pagë më e mirë për ta.