Seanca ndaj tre të akuzuarve për këtë rast do të mbahet më 17 prill, ndërsa ndaj të dyshuarve të tjetër do të mbahet gjykim në mungesë.
Seanca për sulmin terrorist “Banjska” që ndodhi në vitin 2023 dhe ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, tashmë i shpallur hero nga institucionet e Kosovës, do të mbahet më 17 prill.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
“Ju njoftojmë se seanca e shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale ndaj të pandehurve V.T., B.S. dhe D.M. është caktuar të mbahet me datë 17.04.2025 në ora 09:30. Ndërsa lidhur me rastin e të pandehurve të tjerë, për të cilët është veçuar lënda dhe për të cilët ka pasur propozim që të mbahet gjykimi në mungesë, ju njoftojmë se ende nuk është vendosur nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë”, ka deklaruar Gashi.
Më 13 mars, Gjykata e Apelit kishte lënë në fuqi aktakuzën për rastin “Banjska”.
Një grup i armatosur më 24 shtator të 2023-së, kishte sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.
Nga shkëmbimet me armë zjarri, policia fillimisht kishte asgjësuar katër terroristë, teksa gjashtë të tjerë i arrestoi – deri tek ngritja e aktakuzës ndaj 45 personave.
Autoritetet kishin akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.
Radojiçiç e pranoi organizimin dhe përfshirjen në këtë sulm terrorist.
Ai ishte arrestuar nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas ishte liruar nga paraburgimi.
Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.
Sulmi terrorist i 24 shtatorit në Veri të Kosovës, çoi në gjetjen e një arsenali të madh armësh të kontrabanduara në Kosovë, vlera e të cilave kapte shifrën 5 milion euro.
Në përmasa tejet të mëdha, policia gjeti raketahedhës, granatahedhës, pushkë të shumta automatike, pushkë snajper, automjete ushtarake, eksplozivë, detonatorë e shumë armë të kalibrit më të vogël.