Këtë të martë, ka vazhduar seanca gjyqësore ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, ku ka dëshmuar njëri ndër themeluesit e UCK-së, Sejdi Veseli.
Veseli tha se i është bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në dhjetor të vitit 1998, pasi sipas tij, kjo ishte imponuar nga regjimi serb.
“Na është imponuar, s’e kemi dashur luftën, por na është imponuar sepse na ka ardhur thika në asht. Kam qenë në UCK, jam shumë krenar që kam qenë dhe nëse e lyp nevoja prapë do të jem”, ka thënë Veseli, njofton Klankosova.tv.
Ai tha se kishte shërbyer si zëvendës komandant në Brigadën 153, teksa bënte përgatitjen e rregulloreve të brigadës.
Veseli u pyet se kush ishte komandant i Brigadës 153, teksa u përgjigj se në krye të kësaj brigade ishte Adem shehu, ndërsa fillimisht kjo brigadë, sipas Veselit, ka qenë vetëm njësi operative e quajtur “Gollaku”, të cilën e kishte formuar Fatmir Sopi e Rrahman Dini.
Më tej, ai gjatë dëshmisë së tij tha se si komandë përdorej shtëpia e Fatmir Sopit dhe shtëpia e axhës së tij, Sadik Sopit.
I pyetur se ku kryenin stërvitjet ushtarët e rinj në Zllashë, Veseli tha se ata ushtronin në shkollën e këtij fshati.
“Ata janë ushtruar në shkollën e Zllashit, nga ana e kundërt e shkollës ku nga kodrat përreth s’kanë mundur të vëzhgojnë forcat e pushtuesit. Janë kryer disa ushtrime bazike, ndërsa në shkollë brenda janë mbajtur edhe ligjërata”, ka thënë Veseli, njofton Klankosova.tv.
Veseli tha se brenda zonës së Zllashit kishte edhe njësi tjera të UCK-së, ajo e Karadakut dhe siç e ka quajtur ai, grupi gueril i quajtur BIA, ku si komandant i saj, Veseli tha se ka qenë pikërisht Salih Mustafa.
Ai tha se BIA në atë kohë ishin strehuar nëpër disa shtëpi pa rrethoja në veri të fshatit të Zllashit.
Veseli u pyet në lidhje edhe me anëtarët e tjerë të BIA-s, ku tha se njihte si njëri të mirë njërin nga anëtarët e këtij grupi, i quajtur Bahri Gashi.
Më tej, ai u pyet edhe në lidhje me atë se çfarë mendimi kishte për anëtarët e tjerë të BIA-s, duke thënë se s’ka dashur t’i njohë të tjerët për shkak të pseudonimeve të tyre.
“Kur kam dëgjuar disa pseudonime që janë përdorur si “Tabuti”, “Vdekja”, ato nuk janë të natyrës sime. Nuk di më shumë për ta, por s’kam dashur as t’i njohë me aso pseudonime”, ka thënë Veseli, njofton Klankosova.tv.
Tutje, Veseli tha se për anëtarët e BIA-s është folur se janë hajdut, dhe se Bahri Gashi, sipas tij, ishte njeri shumë i mirë për të qëndruar krah tyre.
Ndërsa, i pyetur konkretisht se për kë flisnin njerëzit që është hajn, ai tha përmendi pseudonimet “Tabut” e “Vdekje.
“Për mua këto “Tabut”, “Vdekje”, një njëri normal s’ia vë emrin vetës “Vdekje”, është shprehur Veseli, njofton Klankosova.tv.