Takimi mes Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, që pritej të kurorëzohej me nënshkrimin e një marrëveshjeje për mineralet, mori një kthesë të papritur ditën e djeshme. Zyra Ovale u shndërrua në një arenë tensioni, me Trump dhe zëvendëspresidentin e tij, JD Vance, që përfunduan duke e qortuar Zelenskyn për, siç e cilësuan ata, heztimin për t’i dhënë fund luftës.
Ajo që nisi si një shtrëngim duarsh përpara kamerave, u kthye në një përballje, të cilat tronditën dinamikën e marrëdhënieve ShBA-Ukrainë. Pas takimit, Zelenskit iu kërkua të largohej nga Shtëpia e Bardhë, duke anuluar kështu një konferencë të përbashkët shtypi me Trump.
“Nuk e keni parë të gjithë procesin”
Pas takimit dramatik, në një intervistë për CNN, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, doli në mbrojtje të qasjes së Trumpit.
“Ju nuk e keni parë të gjithë procesin, keni parë vetëm fundin, nuk i dini të gjitha gjërat që çuan deri këtu,” tha Rubio.
“Pra, më lejoni ta shpjegoj: Presidenti ka qenë shumë i qartë. Ai bëri fushatë mbi këtë çështje. Ai mendon se kjo luftë nuk duhej të kishte filluar kurrë. Ai beson, dhe unë pajtohem, se nëse ai do të kishte qenë President, kjo nuk do të kishte ndodhur kurrë. Tani jemi këtu, dhe ai po përpiqet t’i japë fund këtij konflikti.”
Rubio theksoi se administrata e Trumpit kishte paraqitur një plan të qartë për të shtyrë Rusinë dhe Ukrainën drejt negociatave.
Sipas Rubios, marrëveshja e dështuar synonte të lidhte ekonomikisht ShBA-në me Ukrainën, e cila, sipas tij, do të vepronte si një garanci sigurie.
Sipas tij, komplikimet lindën kur Zelenksy nisi të mbajë “leksione se si diplomacia nuk do të funksionoj.”
“Kjo marrëveshje mund të ishte nënshkruar pesë ditë më parë, por ata insistuan të vinin në Uashington. Dhe duhej të ishte një marrëveshje shumë e qartë. Mos vini këtu për të krijuar një situatë ku do të na mbani leksione se si diplomacia nuk do të funksionojë.”
Ai shtoi se qasja e Zelenskyt çoi në një “përfundim të parashikueshëm”, pasi takimi u shndërrua në një debat të ashpër mes tij, Trumpit dhe nënpresidentit JD Vance.
Rubio kritikoi deklaratat publike të Zelenskyt para takimit, duke shtuar se ato minuan përparimin.
“Është për të ardhur keq. Nuk duhej të ndodhte kështu, por ky ishte drejtimi që ai zgjodhi. Mendoj se, sinqerisht, kjo e kthen vendin e tij mbrapsht sa i përket arritjes së paqes, e cila është që Presidenti Trump dëshiron në fund të fundit,” tha Rubio, duke përsëritur qëndrimin e kahershëm të Trumpit se lufta duhet të përfundojë përmes mjeteve diplomatike.
Rubio madje e ftoi Zelenskyn të kërkojë falje për mënyrën se si situata u zhvillua. “Të kërkojë falje për kthimin e kësaj çështjeje në një fiasko për Trumpin,” tha Rubio “Nuk kishte nevojë që ai të hynte aty dhe të bëhej antagonist.”
Rubio tha se Zelensky është i mirëpritur për t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë kur ai “të jetë gati të bëjë paqe dhe të jetë serioz për paqen.”