Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës së Kosovës, ka shprehur shqetësim për vonesën e formimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
SBASHK në reagimin e tyre thotë se Qeveria në largim për katër vite i ka injoruar kërkesat e mësimdhënësve, duke përfshirë këtu Ligjin për Pagat dhe Skemat Pensionale, ndërkohë që çmimet e produkteve esenciale janë rritur 20%.
“Qeveria në detyrë, e cila për katër vite ka injoruar kërkesat legjitime të mësimdhënësve – përfshirë Kontratën Kolektive, Ligjin për Pagat dhe Skemat Pensionale – vazhdon të funksionojë në mënyrë të njëanshme, duke përjashtuar përfaqësuesit e punëtorëve nga vendimmarrja. Ndërkohë, çmimet e produkteve esenciale,përfshirë qumështin dhe bukën, janë rritur deri në 20%, pa asnjë masë mbështetëse nga qeveria”, thuhet në reagim.
Kjo sindikatë tutje në reagim thekson se e konsideron këtë papërgjegjësi të dyfishtë – institucionale dhe sociale.
“Po ashtu, bllokimi i institucioneve nga kryeministri i dorëhequr dhe refuzimi i bashkëpunimit politik për zgjidhje të krizës, dëshmojnë për mungesë serioziteti dhe përkushtimi ndaj interesit publik. Kërkesa e SBASHK-ut është e qartë: Të formohen menjëherë institucionet legjitime; Të rifillojë dialogu sindikal dhe institucional me përfaqësuesit e mësimdhënësve; Të adresohen me urgjencë kërkesat tona dhe të ndërmerren masa kundër rritjes së çmimeve”, thuhet tutje në reagim./Gazeta Papirus/