Siria dënoi sanksionet evropiane, të vendosura kundër individëve dhe entiteteve të lidhura me Qeverinë e presidentit, Bashar al-Assad, duke argumentuar se masat parandalojnë që të dërgohen ndihma në zonat e prekura nga tërmetet shkatërruese.
Bashkimi Evropian më 24 prill vendosi sanksione ndaj 25 individëve dhe tetë entiteteve, të cilat i akuzoi për përfshirje në shkeljen e të drejtave të njeriut dhe për trafikim droge në Siri.
Blloku evropian tha se sanksionet “nuk synojnë të pengojnë ndihmën humanitare që dërgohet në ndonjë pjesë të shtetit” që janë goditur nga tërmetet vdekjeprurëse të shkurtit.
Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme siriane akuzoi BE-në për “gënjeshtra të përsëritura” duke “pretenduar se sanksionet ndaj Sirisë nuk pengojnë dërgesat e ndihmave humanitare apo qasjen në ushqim dhe pajisje mjekësore”, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve siriane, SANA.
Sanksionet “janë kërcënim serioz për jetën e sirianëve”, tha ky zyrtar.
Duke ndjekur shembullin e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë, blloku evropian vendosi sanksione ndaj Samer Kamal al-Assad dhe Wassem Badi al-Assad, që janë kushërinj të presidentit sirian, duke i akuzuar ata për përfshirje në trafikim të drogës.
BE-ja po ashtu vendosi sanksione ndaj individëve dhe entiteteve të tjera, përfshirë kompanive private të sigurisë, duke i akuzuar se kanë ndihmuar regjimin sirian që të rekrutojë luftëtarë. Sanksione janë vendosur edhe ndaj një kompanie ruse të inxhinierisë dhe kompanisë së ndërtimit, Stroytransgaz, për shkak të kontrollit të minierave më të mëdha të fosfatit në Siri.
Më 23 shkurt, BE-ja kishte njoftuar se do të lehtësonte sanksionet për Sirinë për gjashtë muaj, në mënyrë që të mundësohej dërgimi i ndihmës pas tërmeteve shkatërruese. Paraprakisht, SHBA-ja kishte marrë një vendim të ngjashëm.
Por, zyrtari i Ministrisë së Jashtme siriane tha se masat e tilla “nuk kanë pasur aspak efekt, kanë qenë propagandë e pastër”.
BE-ja ka sanksionuar Qeverinë siriane dhe individët e entitetet e lidhura me të, që nga shtypja e protestave nga Damasku mbi një dekadë më parë.
Lufta në Siri, që ka nisur më 2011, ka lënë të vrarë mbi gjysmë milioni persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur./rel