Fakti që biznesmeni nga veriu i Kosovës, Radulle Steviq, nuk ka marrë asnjë cent nga institucionet e Kosovës që nga fundi i vitit 2021, kur është futur në listën e zezë amerikane, nuk e ka penguar punën e kompanisë së tij as në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, e as në pjesë të tjera të vendit.
Prishtina, Skenderaj, Gjilani, Obiliqi, Klina, Prizreni, Lipjani, Vushtrria e Fushë Kosova janë vetëm disa nga 16 komunat, ku kompania e Steviqit “RAD 028”, e regjistruar në sistemin serb, duhet të rinovojë objekte banimi.
Në këto komuna, shqiptarët janë shumicë, por në listë janë edhe ato me shumicë serbe, si Zubin Potoku, Leposaviqi, Zveçani e Novobërda.
Kështu, për shembull, një tender në vlerë prej rreth një milioni e gjysmë eurosh është shpallur në fund të vitit 2022 nga Komuna e Zveçanit, në veri të Kosovës, e cila funksionon nën sistemin e shtetit të Serbisë.
Steviq, i cili edhe vetë është nga Zveçani, është pronar edhe i dy kompanive të regjistruara në sistemin e Kosovës: “RAD” D.O.O. dhe “RAD” P.T.P.
Në bazë të të dhënave të publikuara në portalin Prokurimi i Hapur, Steviq, derisa nuk ka qenë nën sanksionet e SHBA-së, ka fituar mbi 5 milionë euro nga buxheti i Qeverisë së Kosovës.
Pse Steviq është nën sanksionet amerikane?
Në dhjetor të vitit 2021, SHBA-ja ka vendosur sanksione ndaj individëve dhe kompanive që i ka konsideruar përgjegjëse për korrupsion dhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Në mesin e tyre ka qenë edhe Radulle Steviq dhe kompanitë e tij nën sistemin serb dhe atë të Kosovës.
Ai është i lidhur edhe me një biznesmen tjetër nga veriu i Kosovës, Zvonko Vesellinoviq, të cilin SHBA-ja e sheh si udhëheqës të grupeve të korruptuara, të lidhura me krimin e organizuar ndërkombëtar.
“Krimi i organizuar ndërkombëtar dhe korrupsioni shpesh shkojnë paralelisht me efekte të mëdha destabilizuese mbi sundimin e ligjit dhe qeverisjen demokratike”, ka thënë në atë kohë Departamenti i Thesarit i SHBA-së.
Si dhe ku funksionon “RAD 028” në Kosovë?
Ndërtimi apo renovimi i objekteve të ndryshme, i rrugëve, prokurimi i mobilieve, makinerive bujqësore apo edhe i bimëve të luleve për mbi 18 komuna të Kosovës janë vetëm disa nga tenderët e fituar nga kompania “RAD 028”.
Ajo është e regjistruar në sistemin serb dhe merr tenderë nga komunat paralele që financohen nga buxheti i Beogradit zyrtar.
Sipas të dhënave që mund të shihen në portalin e prokurimit publik në Serbi, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2023, “RAD 028” ka marrë mbi gjashtë milionë euro nga buxheti i Qeverisë së Serbisë.
Në bazë të kontratave të disponueshme në portalin e prokurimit publik, shihet se “RAD 028”, në të shumtën e rasteve, është i vetmi ofertues, pra nuk ka konkurrencë.
Shpesh ndodh që tenderët për zonat në jug të Ibrit në Kosovë të shpallen dhe të jepen nga një prej autoriteteve të përkohshme komunale nga veriu, të cilat punojnë në sistemin serb.
Për shembull, më 30 qershor të këtij viti, Komuna e Zveçanit i ka dhënë kompanisë “RAD 028” “projektimin dhe ndërtimin e qendrës kulturore dhe arsimore në Gushtericë të Poshtme, për nevojat e ndërmarrjeve publike administrative dhe të institucioneve kulturore – Komuna e Lipjanit”.
Vlera e projektit është rreth 420 mijë euro.
Gushterica e Poshtme është një fshat që i përket Komunës së Graçanicës, sipas sistemit të Kosovës, e që gjendet rreth 10 kilometra larg Prishtinës.
Gjithashtu, në shtator të vitit 2022, organi i përkohshëm komunal i Zveçanit i ka dhënë kompanisë së Steviqit tenderin për “kryerjen e punimeve dhe ndërtimin e fabrikës për prodhimin e pijeve alkoolike dhe të vajit të farës së rrushit në Hoçë të Madhe – Komuna e Rahovecit”.
Për këtë fabrikë nga buxheti i Serbisë janë ndarë mbi një milion e gjysmë euro.
Në bazë të analizës së kontratave nga portali i prokurimit publik në Serbi, Radio Evropa e Lirë ka ardhur në informacionin se kompania e Steviqit ka marrë rreth 10 milionë euro në vitin 2022.
Kontrata nuk specifikon saktësisht se për cilat komuna bëhet fjalë.
Në anën tjetër, në komunat në veri të Kosovës, “RAD 028” realizon projekte edhe më të vlefshme.
Brenda dy ditësh, nga komuna paralele në Mitrovicën e Veriut, të financuar nga buxheti i Serbisë, ka marrë dy tenderë të mëdhenj në vlerë prej rreth pesë milionë eurosh.
Njëri ka të bëjë me kryerjen e punëve në ndërtimin e universitetit të sistemit serb, ndërsa tjetri ka të bëjë me rindërtimin apo ndërtimin e objekteve në kuadër të “Qendrës Shëndetësore të Mitrovicës së Kosovës”.
Steviq “nuk ka kohë”
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Steviqin dhe ka tentuar të marrë më shumë detaje prej tij për tenderët, realizimin e projekteve dhe funksionimin e kompanive të tij, por ai ka refuzuar të flasë, me arsyetimin se nuk ka kohë.
Më herët, Steviq ka thënë për mediat lokale, të cilat raportojnë në gjuhën serbe në Kosovë, se ai është duke bërë biznes legalisht dhe se nuk e di pse SHBA-ja ka vendosur sanksione kundër tij. Ai, po ashtu, ka thënë se nuk e ka parë Zvonko Vesellinoviqin për 20 vjet.
REL-i i është drejtuar edhe Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë me pyetjen se si pothuajse të gjitha projektet e mëdha në Kosovë i jepen një kompanie që SHBA-ja e lidh me aktivitete korruptive, por nuk ka marrë përgjigje. Kjo zyrë nuk është përgjigjur as në pyetjen nëse janë realizuar të gjitha projektet në zonat me shumicë serbe në Kosovë, për të cilat Steviq ka marrë para.
Përveç faktit se pronari i kompanisë “RAD 028”, Radulle Steviq, është nën sanksionet e SHBA-së, është konstatuar po ashtu se ai ndërton pa leje nga institucionet e Kosovës.
Më 20 qershor, Komuna e Mitrovicës së Veriut ka bllokuar ndërtimin e së paku tri objekteve, për të cilat ka thënë se nuk kanë leje.
Në bazë të tabelës informative përpara këtij objekti, leja e ndërtimit për të është lëshuar në vitin 2020 vetëm nga një autoritet i përkohshëm, i cili punon në sistemin serb.
Mirëpo, në bazë të praktikës së mëparshme, dihet se lejet për ndërtime me fonde serbe jepen vetëm nga organet serbe në Kosovë.
Një shembull i tillë është vendbanimi i të kthyerve “Sunçana dollina” në Zveçan, ndaj të cilit ka nisur procedurë ligjore, për shkak të mungesës së lejeve. Megjithatë, ajo është pezulluar në mesin e korrikut 2021, për shkak të “vjetërsimit të lëndës”.
Edhe pse autoritetet serbe disa herë kanë paralajmëruar se të kthyerit serbë do të vendosen në këtë vendbanim, kjo nuk ka ndodhur ende.
Çfarë thonë institucionet e Kosovës?
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, e cila është përgjegjëse për regjistrimin e kompanive dhe dhënien e tenderëve publikë, me pyetjen se a është në dijeni se kompania e Steviqit, e regjistruar në sistemin serb, rregullisht dhe pa probleme të mëdha, realizon projekte të bazuara në tenderët e marrë nga Serbia.
REL-i nuk ka marrë përgjigje as në këtë pyetje, e as në pyetjen nëse është ndërmarrë ndonjë hap ndaj kompanive të regjistruara në sistemin e Kosovës, “RAD” D.O.O dhe “RAD” P.T.P., të cilat po ashtu janë nën sanksionet e SHBA-së.
Megjithatë, shpjegimi ka ardhur nga Autoriteti i Tenderit, i cili ka të drejtë të vendosë një sipërmarrës në të ashtuquajturën listë të zezë.
Siç thuhet në përgjigjen për REL-in, kompanitë e Steviqit nuk janë në këtë listë të zezë, sepse nuk ka vërejtje nga klientët për punën e tyre.
Sipas të dhënave të prokurimit publik në Kosovë, deri në vendosjen e sanksioneve ndaj Steviqit në fund të vitit 2021, “klientë” të tij kanë qenë kryesisht komunat me shumicë serbe në veri, të cilat punojnë në sistemin e Kosovës: Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku.
“Për çështjen që kompania në fjalë është nën sanksionet e SHBA-së, autoriteti shqyrtues i prokurimit publik nuk ka kompetencë të marrë masa në lidhje me listën e zezë, përveç në rastet e parashikuara në Nenin 99.2 të Ligjit të Prokurimit Publik”, thuhet në përgjigjen e Autoritetit të Tenderit.
Ky nen i Ligjit për Prokurim Publik në Kosovë i referohet situatës kur autoriteti kontraktues pretendon se janë paraqitur të dhëna të rreme apo dokumente të falsifikuara.