SAFET LATIF LATIFI (02.05.1978 – 18.04.1999)
Jeta dhe vepra e dëshmorit të kombit Safet Latifi
Safet Latif Latifi lindi në fshatin Ratkoc më 02.05.1978 nga prindërit Latif dhe Zyma Latifi. Safet Latifi shkollën fillore e mbaroi në vitin 1992/93 me sukses të lartë, por meqë rrethanat ekonomiko-sociale të familjes së tij ishin jo fort të mira (të dobëta), e detyruan atë të hiqte dorë nga shkollimi i mëtejmë. Ai edhe si punëtor ishte i gatshëm të sakrifikohej për përparimin dhe avancimin e familjes dhe shoqërisë. Mirëpo, edhe përkundër përpjekjeve që bëri për të siguruar kafshatën e gojës për familjen, ai prapëseprapë nuk ia arrinte të ishte i kënaqur me të ardhurat ekonomike. Prandaj vendosi që në moshën e re ta braktiste përkohësisht vendlindjen dhe të emigronte në Perëndim, përkatësisht në Slloveni, për të punuar për një mirëqenie më të madhe për familjen dhe shoqërinë. Edhe gjatë qëndrimit të tij në Perëndim, zemrën, shpirtin dhe mendjen gjithmonë e kishte te familja e tij, farefisi, fshati dhe te Kosova.
Ngjarjet e zhvilluara gjatë viteve të 91/92-ta ndikuan pozitivisht në ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe përshpejtuan pjekurinë atdhetare tek shumë të rinj. Ndër ta pa dyshim ishte edhe i riu Safet Latifi, mosha e të cilit tanimë kishte ndikuar që ai të lëshonte shtat. Në vjeshtën e tetorit të vitit 1996 Safeti me babanë e tij, Latif Latifin, në një mbrëmje, derisa po vinin nga fusha (toka bujqësore) ku punonin, në qendër të fshatit Ratkoc i ndali dhe i mori policia serbe, të cilët më pas i dërgoi në stacionin e policisë së fshatit me q’rast përgjatë 4-5 orë rresht u maltretuam nga policia serbe. Nga ky rast Safeti u betua, duke ia bërë të qartë babait të tij, se më nuk do t’u binte në duar serbëve. Dhe prej këtij rasti Safeti do të orientohet kah organizimet ilegale, që çonin drejt organizimit të luftës në Kosovë. Pas daljes publike të UÇK-së më 28 nëntor 1997 dhe pas qëndresës heroike të familjes Jashari, në krye me komandantin legjendar Adem Jashari në Prekaz të Drenicës, gjendja politiko – ushtarake në Kosovë u elektrizua.
Në kontekst të këtyre protestave të mëdha që u zhvilluan në tërë hapësirat e Kosovës, me theks të veçantë u organizuan dhe u mbajtën edhe në fshatin Ratkoc dhe në gjithë komunën e Rahovecit. Në protestat e mbajtura mori pjesë aktive edhe Safet Latifi, i cili dha një kontribut të çmueshëm në organizimin dhe masivizimin e tyre. Safet Latifi, pikërisht duke e arritur pikën më të lartë të pjekurisë kombëtare në vitin 1997, bëhet pjesë aktive e LKÇK.
Më 18 korrik të vitit 1998 në fshatin Fortesë (Ish- Bellacerkë) do të zhvillohej një betejë e madhe luftarake për mbrojtjen e qytetit të Rahovecit, i cili ishte futur nën kontrollin e UÇK-së. Në këtë betejë mjaft të përgjakshme, që u zhvillua tri net e tri ditë, pjesëtarët e UÇK-së treguan një heroizëm të pashoq në luftë kundër forcave policore e ushtarake serbe. . Ofensiva në fillim të shtatorit (3-4 shtator) të vitit 1998, ishte njëra nga ofensivat më të egra, e ndërmarrë nga ushtria serbe kundër UÇK-së. Kjo ofensivë ishte ndërmarrë në tërë territorin e Kosovës, aty ku vepronte UÇK-ja në përgjithësi, e në Zonën Operative të Pashtrikut në veçanti, krahas luftimeve që zhvilloheshin në ZOP. jë gjendje të rëndë luftarake përjetoi edhe territori ku vepronte brigada 124-të e UÇK-së, në kuadër të së cilës gjendej edhe fshati Ratkoc.Pa dyshim njëri nga këta pjesëtarë që dha kontribut të çmueshëm në këtë ofensivë, ishte Safet Latifi. Po ashtu Safet Latifin e gjejmë në krye të detyrës edhe më 25-26 mars të vitit 1999, te Ura e Bellesë e fshatit Bellacerkë, ku merr pjesë aktive në nxjerrjen dhe varrimin e 64 civilëve shqiptarë, të vrarë dhe të masakruar nga forcat serbe.
Në betejën luftarake te Guri i Kuq, që u zhvillua më 29-30 mars të vitit 1999, Safeti me Visarin dhe me shumë bashkëluftëtarë të tyre treguan shembull prej luftëtarëve të devotshëm dhe të guximshëm, që edhe vdekjen e bënin me dinjitet e heroizëm të pashoq edhe në këto luftime.
. Pas këtyre luftimeve, Safeti me shokë kalojnë në fshatin Zatriq, ku edhe ishte i vendosur bat. III-të, përkrah njësive të tjera të brigadës 124. Më 17 prill 1999 njësitet e UÇK-së të brigadës 124, përfshirë edhe bat. III- të, të provokuara nga forcat serbe, që vinin nga fshatrat Drenoc, Senovc, në drejtim të bjeshkës së Zatriqit, aty ku ishte pozicionuar UÇK-ja. Në orën 16.00 filluan luftimet, dhe në sajë të rezistencës që bënë njësit e UÇK-së pas disa orë luftimesh, forcat serbe kthehen mbrapa prej nga ishin nisur.
Pra këtë ditë forcat serbe nuk patën sukses në marrjen e pozicioneve të UÇK-së. Ndërkaq, të nesërmen, më 18 prill 1999, në orët e hershme të mëngjesit, prapë filluan luftimet, por kësaj radhe me një strategji tjetër. Në kontekst të këtyre luftimeve, Safeti së bashku me Visarin, ishin të pozicionuar në afërsi të varrezave të fshatit Zatriq. Njëri ndër pozicionet më të rrezikshme në këto luftime. Forcat serbe në këtë kohë, para se t’u afroheshin pozicioneve të Safetit dhe Visarit, përdorën një taktikë, duke i thirrur ata për mirëkuptim se gjoja po dorëzoheshin. Por me të parë qëllimin e tyre, Safeti dhe Visari menjëherë hapin zjarr në ta, duke i lënë të vrarë disa veta. Por trimëria e këtyre dy viganëve nuk ndalet me kaq. Ata futen edhe më thellë në zonën e luftimeve, duke vrarë edhe të tjerë, derisa nga largësia goditen nga snajperë serbë. Kështu, më 18 prill pushuan së rrahuri dy zemra djaloshare, duke hyrë përgjithmonë në analet e historisë më të re kombëtare.
Marrë nga libri: “Historiku i shkollës 4 Dëshmorët – Ratkoc. 1945/46 – 2017/18 (72 vjetori i themelimit).
Autor: Shani Hoti
/Gazeta Papirus/