Në Met Gala 2025, disa nga emrat më të famshëm të skenës muzikore si Sabrina Carpenter, Lisa e Blackpink dhe Doja Cat guxuan me një trend të pazakontë: u shfaqën pa pantallona.
Sabrina Carpenter mahniti me një kostum trupi të personalizuar nga Louis Vuitton, pa fund apo pantallona, dizajnuar nga Pharrell Williams.
Ajo tha me humor se stilisti vendosi të hiqte pantallonat “sepse jam shumë e shkurtë”.
Edhe Lisa u shfaq me një kostum të zi dantelle Louis Vuitton, i kompletuar me geta transparente, por ajo shkaktoi polemika pasi në pjesën e brendshme të veshjes u shfaqën fytyra të njohura, mes tyre edhe Rosa Parks.
Disa përdorues të rrjeteve sociale e cilësuan këtë si mungesë respekti ndaj figurës së ikonës së të drejtave civile.
Trendit iu bashkua edhe Doja Cat me një veshje nga Marc Jacobs, vetëm me një xhaketë dhe geta transparente, duke tërhequr vëmendje të madhe.
Megjithëse ky stil nuk pritet të përqafohet nga publiku i gjerë, yjet e Met Gala ia dolën ta bënin momentin të paharrueshëm në tapetin e kuq.