Shkrimtari Sabri Hamiti, pjesë e Akademisë së Shkencave, deputet i shtatë legjislaturave, këtë përvjetor të Pavarësisë, kthehet shkurtimisht në publik.
Sikurse ishte në Konferencën e Rambujesë para çlirimit, sikurse në bisedimet e Vjenës, para shpalljes së Pavarësisë; në 15 vjetorin shtet, Kosova gjendet edhe njëherë para një vendimi të madh. Tash ka para vetës negociatat rreth propozimit të Perëndimit për normalizim të raporteve me Serbinë, që masa e njeh si planin franko-gjerman. Negociatorët, vendimmarrësit, formacionet politike kanë ndryshuar. Kosova e ka udhëheqës Albin Kurtin. Edhe këtë herë, rezultatet dhe pasojat nuk janë të ditura, qartësisht.
Sabri Hamiti, një prej figurave të angazhuara politikisht në rreth tri dekada në Kosovë, thotë se brenda raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është një histori shumë e gjatë, e cila nuk mund të harrohet me “një deklarim utopik të shpalljes së një ‘vëllazërie’ të momentit”.
Ai është një prej nënshkruesve të deklaratës së Pavarësisë në ditën e shpalljes së saj në Kuvend. Hamiti, i pyetur nëse para 15 vjetëve janë parashikuar gjendjen që ka tani Kosova, thotë se ishte e pritshme se probleme do të kishte. Duke përshkruar rrugëtimin e Kosovës qëkur e shpalli Pavarësinë, me kundërshtimin e Serbisë që e përcillte në sfond, thotë se mosmarrëveshjet kanë prodhuar problemet aktuale.
Hamiti këtë përvjetor, kujton Presidentin Ibrahim Rugova, si “i munguar i madh” i kësaj dite. E vlerëson si fat të madh të kombëtar udhëheqjen e Rugovës, sidomos në krijimin e raporteve me Perëndimin.
“Është konvergjencë nacionale që dy prijësit që udhëhoqën kah ngjarjet e mëdha historike [flet për Rugovën dhe Ismail Qemalin] të ishin intelektualë të rrallë, atdhetarë e liberatorë. Kjo konvergjencë ka qenë fat i madh për popullin tonë, në mënyrë të veçantë për krijimin e raporteve me botën perëndimore”, thotë ish-zyrtari i lartë i LDK-së.
Kur jemi te raportet me botën perëndimore, së fundmi Kryeministri Albin Kurti është akuzuar – edhe njëherë – se po i lëndon ato, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Hamitit nuk i duket se ka një përplasje mes Qeverisë së tanishme dhe Perëndimit.
“Përtej retorikës politike, që herëmbashere ka ngjyrime dhe lakime, në fund, nuk po më duket që Qeveria e Kosovës është në kolizion me Perëndimin. U tha ditët e fundit, me fjalë, publikisht, nga Kryeministri, se SHBA-ta janë partneri strategjik kryesor i Kosovës. Bile Kryeministri theksoi se plani i mbështetur prej tyre ka edhe përkrahjen e tij. Natyrisht, janë bërë publike edhe mendimet e përfaqësuesve amerikanë dhe evropianë që e përgëzojnë dhe e trimërojnë Kryeministrin tonë për këtë deklarim”, ka thënë Hamiti.
Intervista e plotë:
Si e shihni sot shpalljen e pavarësisë së Kosovës para 15 vitesh?
Hamiti: Dita e pavarësisë së Kosovës është ngjarja më e madhe historike e Kosovës moderne. Përfaqësuesit e Kosovës, të zgjedhur me votë të lirë qytetare, të mbledhur në Kuvendin e Kosovës, duke shprehur vullnetin politik të qytetarëve të vendit, shpallën Kosovën shtet të pavarur e sovran më 17 shkurt 2008 në Prishtinë.
Sa i takon popullit shqiptar, shpallja e pavarësisë së Kosovës është dita më e shënuar, mbas gati një shekulli, nga dita e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912 në Vlorë.
Populli i Kosovës në këtë përvjetor kujton përjetë Atin Themeltar të pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugovën, i cili e udhëhoqi lëvizjen demokratike për liri e pavarësi, duke qenë i munguar i madh në ditën e bekuar. Mirëpo, kjo ditë e mban përjetë bekimin e tij.
Ashtu si pavarësia e Shqipërisë e mban përjetë bekimin e Ismail Qemalit.
Është konvergjencë nacionale që dy prijësit që udhëhoqën kah ngjarjet e mëdha historike të ishin intelektualë të rrallë, atdhetarë e liberatorë. Kjo konvergjencë ka qenë fat i madh për popullin tonë, në mënyrë të veçantë për krijimin e raporteve me botën perëndimore.
A ka qenë lehtë e parashikueshme, sipas jush, para 15 vjetësh se Kosova do të përballej me probleme që i ka sot, si dialogu me Serbinë, gjendja në Veri, që përsëri lidhet me Serbinë, apo dukej se me shpalljen e shtetit dhe me gjithë atë mbështetje ndërkombëtare, gjërat do të shkonin në drejtim tjetër?
Hamiti: Që do të ketë probleme të ndryshme ka qenë e pritshme. Së pari, pavarësia e Kosovës është shpallur me vullnetin e qytetarëve të saj, por edhe me partneritetin e bashkësisë ndërkombëtare, të prirë nga SHBA dhe Bashkimi Evropian, dhe kjo e bazuar në një dokument ndërkombëtar për Kosovën. Sprova e parë është kaluar me pranimin juridik ndërkombëtar të shpalljes së pavarësisë, në procesin e GJND-së më 2010. Pastaj, ka kaluar edhe provën ndërkombëtare të pavarësisë së mbikëqyrur. Hartimi i një kushtetute moderne me bazë qytetare është provuar në zgjedhje nacionale e lokale, duke kaluar procesin demokratik të një shtetndërtimi modern me pamje evropiane. Mirëpo, gjatë gjithë kohës Kosova është përballur edhe me kontestimet e Serbisë dhe të përkrahësve të saj, duke luajtur me konceptet e të drejtave universale njerëzore dhe duke u përpjekur t’i përkthejë ato në përmasa territorialiteti. Problemet aktuale dhe mosmarrëveshjet në këtë nivel kanë prodhuar gjendjen e tanishme.
Tash ka një mobilizim ndërkombëtar, i krahasueshëm ndoshta vetëm me Konferencën e Rambujesë dhe Bisedimet e Vjenës, për të arritur një marrëveshje Kosovë-Serbi mbi bazën e një plani franko-gjerman, që nuk sjell njohje nga Serbia e as garanci për anëtarësim në Kombet e Bashkuara? Ku do ta çojë kjo Kosovën, nëse ka ujdi?
Hamiti: Mobilizimi i tashëm ndërkombëtar për Kosovën duhet të konisderohet i domosdoshëm edhe si fazë e interesimit të përparshëm rreth shpalljes së pavarësisë dhe interesimit të pastajmë rreth shtetndërtimit demokratik të vendit. Ky interesim intensiv i SHBA-ve, partnerit strategjik të Kosovës, dhe i BE-së, patjetër që është i ndikuar edhe nga situata agresive e Serbisë rreth Kosovës. Mobilizimi ndërkombëtar rreth Kosovës padyshim ka edhe komponentën gjeostrategjike të rregullimit të këtyre raporteve. Plani i përfolur si franko-gjerman, i përkrahur nga SHBA-të, për mua është letër e palexuar, pos njoftimit të jetë pranuar nga Kryeministri i Kosovës ‘si bazë e mirë’ për bisedime.
Pasi që argumenti kryesor për marrëveshje Kosovë-Serbi është ecja e dy vendeve drejt BE-së a mund të thuhet se Kosova do ta ketë më të lehtë të bëhet pjesë e BE-së pavarësisht pesë vendeve mosnjohëse aty. Pyetja e njëjtë vlen edhe për anëtarësimin eventual në NATO?
Hamiti: Programi fundamental i Republikës së Kosovës, tashmë i pranuar në nivel qytetarie, ka qenë dhe mbetet: Kosova shtet demokratik, i pëlqyeshëm për qytetarët e saj, me synim për integrime euro-atlantike, me marrëdhënie të posaçme me SHBA-të. Kjo nënkupton zhvillim ekonomik dhe sistem demokratik të vendit. Hyrja në BE është kriter i zhvillimit, nuk është dhuratë që jepet. Si rikujtim: në BE nuk mund të hyjë askush pa u njohur nga të gjitha vendet anëtare. Kosova së pari duhet të intensifikojë marrëdhëniet me Shqipërinë në ekonomi e në fusha të tjera, për të provuar kritere evropiane të integrimit, si pasojë e integrimeve shqiptare. Në anën tjetër, zgjidhjet me fqinjët dhe partnerët ndërkombëtarë janë të pëlqyeshme kur mirren me konsensus sa më të gjerë të përfaqësuesve të Kosovës. Po qe e domosdoshme, edhe në formë të referendumit.
Tash kemi një qeveri që është skeptike në raport me ndërkombëtarët. A mendoni se për herë të parë mund të jemi në kolizion me Perëndimin apo edhe Kryeministri Kurti, me gjithë rezervat, po bashkëpunon me Perëndimin?
Hamiti: Qeveria e Kosovës me Kushtetutë është e detyruar ta mbrojë interesin e vendit dhe të qytetarëve të tij. Pra, edhe të gjejë aleatë dhe mirëkuptim për këto interesa. Përtej retorikës politike, që herëmbashere ka ngjyrime dhe lakime, në fund, nuk po më duket që Qeveria e Kosovës është në kolizion me Perëndimin. U tha ditët e fundit, me fjalë, publikisht, nga Kryeministri, se SHBA-ta janë partneri strategjik kryesor i Kosovës. Bile Kryeministri theksoi se plani i mbështetur prej tyre ka edhe përkrahjen e tij. Natyrisht, janë bërë publike edhe mendimet e përfaqësuesve amerikanë dhe evropianë që e përgëzojnë dhe e trimërojnë Kryeministrin tonë për këtë deklarim.
Nëse nuk siguron njohje a mund të presim së paku në raportet Kosovë -Serbi me planin franko-gjerman do të ndërpritet marrëdhënia toksike dhe destruktive mes dy vendeve?
Hamiti: Raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si vende e si popuj, janë domosdoshmërisht të kushtëzuara nga historitë, kulturat, dhe zhvillimet e tyre. Mbrenda këtyre raporteve është një histori shumë e gjatë, e cila nuk mund të harrohet me një deklarim utopik të shpalljes së një ‘vëllazërie’ të momentit. Historia është nëna e mësimit, na përsërisin të vjetrit. Mësimi duhet të mësohet.