Gjykata Speciale do të shpallë nesër aktgjykimin për dy drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn. Por
për çka akuzohen ata, kur u arrestuan dhe me sa vjet burgim mund të dënohen, nëse shpallen fajtor?
Nesër, me fillim nga ora 10:00, Gjykata Speciale do ta thotë fjalën e fundit në rastin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.
Ata akuzohen për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Prokuroria ka insistuar se të dy ata, të organizuar, kanë synuar të dëmtojnë reputacionin e Gjykatës Speciale, si dhe të pengojnë punën e saj.
“Ata i kryen krimet, sepse donin të pengonin punën e kësaj gjykate, të frikësonin dhe të merrnin hak kundër dëshmitarëve”, ka thënë prokurori i rastit, James Pacen, në fjalën e tij përfundimtare.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka propozuar që ata të dënohen me nga gjashtë vjet burgim dhe një gjobë prej 100 euro.
Dy drejtuesit e OVL e UÇK’së janë deklaruar të pafajshëm gjatë gjykimit, shkruan Reporteri.net.
Ata i kanë cilësuar Dhomat e Specializuara të Kosovës si “gjykatë njëetnike” që, siç kanë thënë, synim ka vetëm “dënimin e shqiptarëve”, ndërsa amniston, sipas tyre, krimet e kryera nga forcat ushtarake e policore serbe në Kosovë.
Çka thuhet në aktakuzë?
Në aktakuzën e ZPS-së thuhet se me rastin e tri konferencave për shtyp dhe ngjarjeve të tjera të transmetuara, si dhe përmes shpërndarjes së mëtejshme, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj kanë zbuluar, pa autorizim, informacione të mbrojtura me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke përfshirë detajet identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm).
Aty thuhet se në mes prillit dhe shtatorit 2020, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj bënë deklarata abuzuese për dëshmitarët që bashkëpunojnë me ZPS-së, dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata ndër të tjera, gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.
“Në bazë të fakteve të paraqitura në paragrafët 4-22, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj mbajnë përgjegjësi penale individuale për çdonjërën nga veprat penale “Pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”, “Frikësimi gjatë procedurës penale”, “Hakmarrja”, “Shkelja e fshehtësisë së procedurës”. Sikurse përshkruhet në paragrafët 45-46, ata kishin dijeninë dhe synimin e nevojshëm për çdonjërën nga veprat penale”, thuhet në aktakuzë.
Kur u arrestuan Gucati e Haradinaj?
Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ishte arrestuar më 25 shtator të vitit 2020, në zyrat e kësaj organizate në Prishtinë nga pjesëtarë të Misionit Evropian për Sundimin e Rendit dhe Ligjit (EULEX).
Disa ditë para arrestimit të tij, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë kishte thënë se disa aktivitete në të cilat është përfshirë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “kanë për qëllim të minojnë administrimin e drejtësisë në mënyrë të duhur“.
Të njëjtën ditë, ishte arrestuar edhe nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj. Ai ishte arrestuar para objektit ku ndodheshin zyrat e një televizioni, ku Haradinaj ishte i ftuar për intervistë.
Ndryshe, Gjykata Speciale në Hagë vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar.
Themelimi i saj ka ardhur pas një raporti të Këshillit të Evropës, në vitin 2011, i cili ka përmbajtur akuza ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq e të tjera. Autor i këtij raporti ka qenë ish-raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty. /Gazeta Papirus/