Gati 30 vizita zyrtare nëpër shtete të botës ka realizuar Presidentja Vjosa Osmani gjatë vitit që lamë pas.
Në deklarimin e pasurisë të dorëzuar në mars të vitit 2022, figuron se Osmani kishte marrë mbi 6 mijë euro mëditje për udhëtime. Për dallim nga Osmani, Kryeministri Albin Kurti s’merr asnjëherë mëditje dhe vartësit e tij kujdesen që ta theksojnë këtë sa herë u jepet rasti.
Agjenda e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, po del të ketë qenë goxha e ngarkuar gjatë vitit 2022. E para e Shtetit ka realizuar vizita nëpër 21 shtete të ndryshme të botës. Më së shpeshti udhëtoi për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përveç ShBA-së, Osmani realizoi vizita edhe në Turqi, Maltë, Katar, Panama, Kosta Rikë, Lituani, Tajlandë, Singapor, Slloveni, Republikën Çeke, Francë, Austri, Bullgari, Gjermani, Mal të Zi, Greqi, Maqedoni të Veriut, Belgjikë, Mbretëri të Bashkuar dhe Shqipëri.
Por, sa i kushtuan biletat e akomodimi për këto vizita?
Gazeta Express ka siguruar listën e shpenzimeve të Osmanit për këto udhëtime, përmes kërkesës për qasje në dokumente publike.
Bazuar në të dhënat që Presidenca ia ka ofruar gazetës, biletat e Osmanit për këto udhëtime kushtuan gati 26 mijë euro. Për të gjitha vizitat, Osmani ka udhëtuar me “Economy class”.
Më së shtrenjti ka paguar për biletë gjatë vizitës zyrtarë në ShBA, më shtator. Osmani qëndroi atje nga 20 shtatori deri më 28 shtator dhe për biletë pagoi 2 mijë e 716 euro. Kaq shtrenjtë i kushtoi bileta edhe gjatë vizitës tjetër në ShBA, në muajin korrik.
Atje qëndroi nga 25 korriku deri më 29 korrik dhe pagoi për biletë 2 mijë e 707 euro.
Shtrenjtë i kushtoi edhe bileta për vizitën e saj në Tajlandë, nga 24 deri më 25 qershor. Për këtë udhëtim, Osmani pagoi biletë në vlerë 2 mijë e 483 euro. Bileta i kushtoi shtrenjtë edhe për vizitën në Singapor, ku pagoi 2 mijë e 112 euro.
Sipas të dhënave të Presidencës, akomodimi gjatë këtyre vizitave, Osmanit i ka kushtuar mbi 11 mijë euro.
Edhe akomodimi, më së shtrenjti i ka kushtuar gjatë vizitave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për vizitën që kishte realizuar në shtator, ku kishte qëndruar nga 20 shtatori deri më 28 shtator, ajo kishte paguar 3 mijë e 600 euro për akomodim.
Për vizitën e korrikut, kishte paguar 1 mijë e 883 euro.
Ndërkohë, akomodimi gjatë vizitës në Francë i kishte kushtuar 1 mijë e 94 euro.
Në disa prej këtyre vizitave, siç janë ajo në Maltë, Katar e Bullgari, shpenzimet për bileta e akomodim janë zero.
Vitin e kaluar, Osmani në Agjencinë Kundër Korrupsionit, kishte deklaruar se kishte marrë mëditje për udhëtime në vlerë 6 mijë e 223 euro.
Për dallim prej Osmanit, Kryeministri Albin Kurti s’merr mëditje asnjëherë dhe vartësit e tij kujdesen që ta theksojnë këtë sa herë u jepet rasti.
“Kryeministri Kurti nuk merr mëditje. Sipas ligjit edhe mund t’i takojnë, por ai me vullnet dhe dëshirë nuk pranon mëditje për udhëtimet jashtë vendit. Nuk ka marrë mëditje në asnjë udhëtim që prej kur është zgjedhur për herë të parë Kryeministër, ashtu po vepron edhe tani”, kishte thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, në një postim në Facebook.
Sa shpenzuan Kurti e Konjufca për vizita gjatë vitit 2022?
Gazeta Express ka siguruar edhe listën e shpenzimeve të kryeministrit Albin Kurti dhe Kryeparlamentarit Glauk Konjufca, përmes kërkesës për qasje në dokumente publike.
Kryeministri Albin Kurti kishte realizuar udhëtime zyrtare në 15 shtete vjet.
Për akomodim gjatë këtyre udhëtimeve, Kurti kishte shpenzuar gati 12 mijë euro. Më së shtrenjti kishte paguar për akomodim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë vizitës që kishte zhvilluar në muajin maj.
Atje kishte qëndruar për mbi dy javë dhe kishte paguar për akomodim 4 mijë e 853 euro.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kurti kishte zhvilluar udhëtim zyrtar edhe dy herë të tjera. Gjatë vizitës në Washington DC, kishte paguar për akomodim 1 mijë e 302 euro, derisa për vizitën tjetër nuk figuron ndonjë shpenzim i bërë për këtë qëllim.
Për të fluturuar drejt këtyre shteteve, sipas dokumenteve të ofruara nga ZKM-ja, Kurti ka shpenzuar mbi 19 mijë euro. Ashtu sikurse akomodimi, edhe biletat i kanë kushtuar më së shtrenjti për fluturimet drejt ShBA-së.
Për vizitën e majit, Kurti kishte paguar 4 mijë e 279 euro për bileta. Bileta më shtrenjtë se të tjerat, i ka kushtuar edhe për fluturimin drejt Japonisë, saktësisht 1 mijë e 523 euro.
Bileta i kishte kushtuar më së liri për një udhëtim që kishte zhvilluar në Norvegji, ku kishte paguar 124 euro.
Tek shpenzime tjera/taksa, figurojnë 284 euro. Shpenzime për mëditje dhe dreka e darka s’ka, meqenëse siç thotë Zyra e Kryeministrit, Kurti s’merr asnjëherë mëditje dhe deri tash s’ka pasur shpenzime për dreka e darka.
“Kryeministri Kurti nuk merr asnjëherë mëditje dhe deri më tani nuk ka pasur shpenzime për dreka apo darka zyrtare gjatë udhëtimeve jashtë vendit”, thuhet në fund të dokumentit.
Përveç për Kurtin, Gazeta Express ka siguruar edhe shpenzimet e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Konjufca kishte vizituar vetëm katër shtete gjatë vitit 2022. Asnjë prej vizitave të tij s’kishte qenë më e gjatë se dy ditë.
Shtetet në të cilat ka realizuar udhëtime zyrtare janë Austria, Greqia, Shqipëria dhe Holanda. Për udhëtime drejt këtyre shteteve, Konjufca kishte paguar 1947 euro për bileta.
Akomodimi gjatë vizitave në Holandë, Greqi e Austri, të parit të Kuvendit i ka kushtuar 723 euro.
Sipas të dhënave që ka siguruar Gazeta Express nga Kuvendi i Kosovës, Konjufca kishte shpenzuar 574 euro gjatë udhëtimeve në Austri, Greqi dhe Shqipëri.
124 euro figurojnë si shpenzime të tjera. Në total, për mëditje, akomodim dhe shpenzime tjera gjatë udhëtimeve zyrtare, Kryeparlamentari kishte shpenzuar 1 mijë e 425 euro.
Nga Kuvendi kanë deklaruar se Konjufca ka shpenzuar edhe 160 euro për telefon, gjatë muajit janar dhe shkurt.
Ndërkohë, shpenzimet për derivate janë llogaritur për gjithë kabinetin dhe sillen rreth 3 mijë e 200 euro.
Aty figuron se janë blerë 3 mijë e 748 litra, me çmim “sipas tregut të bursës në kohë reale”.