Dhomat e Specializuara të Hagës kanë publikuar raportin vjetor për vitin 2022. Aty, përveç detajeve lidhur me procedurat gjyqësore, financat e takimet e ndryshme, janë bërë të ditura edhe shifrat për punëtorët që punojnë në këto institucione.
Viti 2022 e ka arritur shifrën më të madhe të punëtorëve që nga themelimi i Gjykatës Speciale me seli në Hagë.
Numri total i punëtorëve ka kaluar mbi 250, madje janë afër 300, raporton Nacionale. Kjo bëhet e ditur në një grafikë të publikuar nga Specialja në këtë raport vjetor.
Ky numër i punëtorëve përfshin edhe ata të Gjykatës Speciale por edhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Numri më i madh i punëtorëve vjen nga Holanda. Nga shteti holandez janë më shumë se 70 punëtorë.
Pastaj më së shumti ka punëtorë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Franca, të dyja me nga mbi 20 punëtorë.
Punëtorë në Dhomat e Specializuara ka edhe nga Bullgaria, Kroacia, Gjermania, Greqia, Suedia, Spanja, Portugalia, Hungaria dhe vende të tjera.
Nacionale dje ka raportuar edhe për takimet që ka pasur Gjykata Speciale dhe Prokuroria e Hagës me diplomatë të ndryshëm:
Edhe vitin e kaluar, Gjykata Speciale zhvilloi takim me përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së dhe shteteve të treta.
“Më 24 nëntor, gjatë takimit informues vjetor, Kryetarja, Administratorja dhe Ushtruesi i Detyrës së Prokurorit të Specializuar informuan përfaqësues të shteteve anëtare të BE-së dhe shteteve të treta kontribuese me seli në Hagë për punën e DHSK-së dhe ZPS-së”, thuhet në raport, transmeton Nacionale.
Në tetor, Administratorja e Dhomave të Specializuara kishte informuar shtetet anëtare të Be-së në Komitetin për Politikë e Siguri.
“Kryetarja, e shoqëruar nga Administratorja, u paraqit personalisht edhe para Komitetit të BE-së për Politikë dhe Siguri më 27 tetor në Bruksel. Ajo i informoi shkurtimisht shtetet anëtare për aktivitetet gjyqësore të DHSK-së dhe iu përgjigj pyetjeve që iu bënë”, thuhet më tutje në këtë raport vjetor për vitin 2022.
Takim të tillë administratorja Fidelma Donlon kishte pasur edhe me ambasadoren amerikane për drejtësi penale globale.
“Kryetarja dhe Administratorja gjithashtu u takuan me përfaqësues të autoriteteve diplomatike, ndërkombëtare dhe kombëtare, përshirë ambasadoren e SHB-së për Drejtësi Penale Globale, SH. e S. Beth Van Shak (Beth Van Schaack), një delegacion gjykatësish nga Franca, një delegacion gjykatësish nga Gjykata Penale Speciale për Republikën e Afrikës Qendrore dhe një delegacion gjykatësish nga Republika Federale e Gjermanisë”, bëhet e ditur në raportin vjetor të Gjykatë Speciale.
Në Hagë për vizitë dhe takime kishin shkuar edhe shumë diplomatë e ekipe të tjera, përfshirë shefin e BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.
“Më 21 shkurt, drejtuesit e lartë pritën në Gjykatë një delegacion nga Shërbimi i BE-së për Instrumentet e Politikës së Jashtme. Më 22 mars, drejtuesit e lartë zhvilluan një takim me ambasadorë të shteteve anëtare të BE-së, me ftesë të ambasadorit të Republikës së Francës, gjatë të cilit dhanë shkurtimisht informacion për statusin e proceseve gjyqësore”, bëhet e ditur aty.
“Më 17 tetor, SH e T. Tomash Sunjog (Tomáš Szunyog), shefi i Zyrës së BE-së dhe përfaqësuesi special i BE-së për Kosovën, vizitoi DHSK-në për t’u takuar me drejtuesit e lartë”, specifikohet më tutje.
Takime të ngjashme me diplomatë, ka zhvilluar edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Hagës. Në këtë raport, thuhet se shtetet janë informuar për punën e Prokurorisë.
“Gjatë vitit 2022, ZPS-ja mori pjesë në një varg takimesh informuese diplomatike për t’u dhënë shteteve anëtare të BE-së dhe shteteve të treta kontribuese informacion të përditësuar mbi punën e ZPS-së, sfidat me të cilat përballej, dhe mënyrat se si komuniteti ndërkombëtar mund të ndihmonte që ZPS-ja të përshpejtonte punën e saj”, thuhet në raport.
Madje, ZPS-ja e vlerëson mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar si tejet të rëndësishme për aktivitetet e tyre.
“Në qershor 2022, Prokurori i Specializuar Xhek Smith, së bashku me Kryetaren e DHSK-së Ekaterina Trendafilova dhe Administratoren Fidelma Donlon, zhvilloi një bisedë me Komitetin e BE-së për Aspektet Civile të Menaxhimit të Krizave. Në nëntor 2022, në Hagë, Ushtruesi i Detyrës së Prokurorit të Specializuar Aleks Uajting dhe Ushtruesi i Detyrës së Zëvendësprokurorit të Specializuar Vard Ferdinandys, së bashku me Kryetaren e DHSK-së Ekaterina Trendafilova dhe Administratoren Fidelma Donlon, bënë prezantime për diplomatë nga shtetet anëtare të BE-së dhe shtetet e treta kontribuese. Mbështetja e komunitetit ndërkombëtar ka qenë dhe mbetet shumë e rëndësishme për aktivitetet e ZPS-së”, thuhet më tutje.
Fakti se Gjykata Speciale e Prokuroria e Specializuar zhvillon takime të tilla, ishte kritikuar ashpër në Kosovë nga avokatë e organizata të shoqërisë civile.