Rezistenca e nisur 10 ditë më parë vazhdoi edhe të mërkurën në të dy taborët.
Kryetari i Leposaviqit Lulzim Hetemi brenda zyrës në njërën anë, e protestuesit serbë në tjetrën, nuk u zmbrapsën as pas thirrjeve për normalizim nga ndërkombëtarët, raporton Klan Kosova.
Ndryshe nga më herët, të mërkurën serbët zgjodhën që ditën ta kalojnë duke luajtur volejboll.
Veç sigurisë së të parit të Komunës, KFOR-i përkujdeset që t’i ndihmojë të vegjlit kur topi iu bie brenda rrethojave.
Konsultimet e ish-kryetarit të Leposaviqit Zoran Todiq me përfaqësues të misionit paqeruajtës janë më të shpeshta, por pa ndonjë rezultat në terren.
Si rëndom, pasdite nis shpërndarja e serbëve, e lirohet rruga për qarkullim. Disa nga ta të rinj nuk ngurojnë të pengojnë për disa çaste edhe transmetimet direkte.
Lëvizjet këndejpari shtohen pak kur pasdite dy autoblindat e Policisë së Kosovës lëvizin prapa objektit të Komunës.