Autoritetet ruse urdhëruan të premten evakuimin e familjeve me fëmijë dhe të të moshuarve nga zonat e vijës së frontit të kontrolluar nga Rusia në jug të Ukrainës për shkak të rritjes së granatimeve nga pala ukrainase.
Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze “AFP”.
“Në ditët e fundit, armiku ka shtuar granatimet e vendbanimeve afër vijës së frontit”, shkroi në mediat sociale kreu i rajonit të Zaporizhzhia-s, i instaluar nga Rusia, Yevgeny Balitsky. “Prandaj kam marrë një vendim për të evakuuar para së gjithash fëmijët dhe prindërit, të moshuarit, invalidët dhe pacientët e spitalit”.
Sipas zyrtarit rus, do të ketë “një evakuim të përkohshëm” nga 18 vende, duke përfshirë qytetin Enerhodar ku ndodhet termocentrali bërthamor Zaporizhia.
Fabrika – më e madhja në Evropë – është mbajtur nga Rusia që nga dita e parë e konfliktit dhe tani është afër vijës së frontit, duke shkaktuar shqetësim ndërkombëtar.
Ukraina ka përgatitur një ofensivë kundër forcave ruse për muaj të tërë dhe disa analistë thonë se sulmet sabotuese dhe sulmet në distanca të gjata prapa linjave ruse në ditët e fundit tregojnë se ajo tani është e afërt.