Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një dekret që i lejon qytetarëve të dy rajoneve të Ukrainës, Kherson dhe Zaporizhia, pjesë e territoreve të së cilave janë pushtuar nga forcat ruse, që të përfitojnë nënshtetësi ruse.
Në dekretin e firmosur më 25 maj, thuhet se banorët e dy rajoneve tashmë mund të pajisen me pasaportë ruse, nëpërmjet një procedure të thjeshtëzuar që u zbatua në vitin 2019-të për banorët e rajoneve të Donjeckut dhe Luhanksut, të cilat kontrolloheshin nga separatistët e mbështetur nga Moska.
Pasi Rusia nisi pushtimin e saj ndaj Ukrainës më 24 shkurt, trupat e saj arritën të zaptonin një pjesë të madhe të rajonit të Kherson, përfshi edhe kryeqytetin, dhe rreth gjysmën e territorit në rajonin e Zaporizhia, me kryeqytetin e saj që është ende nën kontrollin e forcave ukrainase.
Autoritetet e vendosura nga Rusia në Krime, gadishullin që ndodhet në Detin e Zi të aneksuar në mënyrë të paligjshme nga Moska në vitin 2014, kanë deklaruar se janë gati të vendosin qendra për dhënien e pasaportave për qytetarët ukrainas që zgjedhin të marrin pasaporta ruse.