Agjensia ruse e lajmeve TASS e ka cituar Ministrinë ruse të Mbrojtjes të ketë thënë se sulmet ndaj anijeve në Krime gjatë natës kanë bërë që Rusia të pezullojë pjesëmarrjen në një marrëveshje për eksportin e grurit.
Marrëveshja e ndërmjetësuar nga OKB-ja u nënshkrua në korrik dhe lejonte që dërgesat e grurit ukrainas të eksportoheshin nga portet e bllokuara, shkruan Sky News, transmeton Klankosova.tv.
“Duke marrë parasysh aktin terrorist nga regjimi i Kievit me pjesëmarrjen e ekspertëve britanikë kundër anijeve të Flotës së Detit të Zi dhe anijeve civile të përfshira në sigurimin e korridorit të grurit, pala ruse pezullon pjesëmarrjen në zbatimin r marrëveshjeve për eksportin e produkteve bujqësore nga portet e Ukrainës”, thuhet në një deklaratë të ministrisë.
Një zëdhënës i OKB-së ka thënë se ata janë në kontakt me autoritetet ruse dhe se të gjitha palët duhet të përmbahen dhe të mos bëjnë asgjë që e rrezikon marrëveshjen.
Ndërkaq, Ministri rus i Bujqësisë, Dmitry Patrushev tha se vetëm 3 për qind e ushqimit të eksportuar sipas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga OKB-ja kishte shkuar në vendet më të varfra -dhe se Moska synon të furnizojë 500 mijë tonë grurë për këto vende gjatë muajve të ardhshëm.